Pas aktgjykimit të sotëm për pengim të drejtësisë, vëmendja në Gjykatën Speciale në Hagë kthehet te rasti kryesor. Deri më 27 nëntor, mbrojtja dhe Prokuroria duhet të paraqesin njoftimet e apelit kundër aktgjykimit për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Afatin e ka caktuar Paneli i Gjykatës së Apelit, i cili më 29 shtator e miratoi pjesërisht kërkesën e ekipeve mbrojtëse për më shumë kohë. Mbrojtja kishte kërkuar që afati të shtyhej deri më 15 dhjetor, duke përmendur gjatësinë dhe kompleksitetin e aktgjykimit, si dhe mungesën e përkthimit të tij në gjuhën shqipe.
I njëjti afat vlen edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në njoftimet e apelit, palët duhet të tregojnë se cilat pjesë të aktgjykimit synojnë t’i kundërshtojnë në shkallën e dytë.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i shpallën të katërt fajtorë për krime lufte, përfshirë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar, ndërsa i liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Ky aktgjykim nuk është i formës së prerë.
Sot, në procesin e veçantë për pengim të drejtësisë, gjyqtari Christopher Gosnell e dënoi Thaçin me 17 muaj burgim për tentativë të pengimit të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Sipas gjykatës, ky dënim do të mbahet veçmas nga dënimi në çështjen për krime lufte.
Edhe aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.
