Më 21 shtator 2026, në ambientet e Komunës së Saint-Julien-en-Genevois, në Francë, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët për riafirmimin e binjakëzimit ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Komunës së Saint-Julien-en-Genevois.
Gjatë ceremonisë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetari i Komunës së Saint-Julien-en-Genevois, Laurent Mivelle, riafirmuan solemnisht angazhimin e tyre për ta jetësuar dhe zhvilluar më tej këtë binjakëzim përmes shkëmbimeve dhe projekteve të përbashkëta, me përfshirjen e banorëve, shoqatave dhe aktorëve të tjerë lokalë të dy komunave, veçanërisht në fushat e kulturës, arsimit, sportit dhe ekonomisë, si dhe në bashkëpunimin ndërmjet shoqatave.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris u përfaqësua në ceremoni nga ministri-këshilltar, Avni Hasani, i cili mbajti një fjalë rasti.
Duke i përgëzuar të dyja komunat për këtë binjakëzim, ai theksoi rëndësinë e tij për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat dhe, në veçanti, për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale të Kosovës dhe Francës.
