Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut, duke akuzuar Serbinë se vazhdon të fshehë fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një shkrim publik, Osmani theksoi se Serbia “ende fle mbi varreza masive”, ndërsa sipas saj vazhdon të mbajë të fshehtë vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur.
Ajo rikujtoi rastin e 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe në prill të vitit 1999. Sipas Osmanit, familjet e tyre dhe qytetarët e Mitrovicës kanë jetuar për 27 vjet me ankthin e mungesës së informacionit për fatin e tyre.
“Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi dhe në veprimtari atdhetare do të mbetet gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës”, u shpreh ajo.
Duke komentuar zbulimin e varrezës masive në Kalludër, ku dyshohet se gjenden eshtrat e intelektualëve të zhdukur, Osmani tha se ky zhvillim është një lehtësim për familjet, por njëkohësisht edhe një kujtesë e dhimbshme e krimeve të luftës.
Ajo shtoi se Kosova ndan kufi me një shtet që, sipas saj, ende nuk ka hequr dorë nga synimet për zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës.
Në fund të reagimit, Osmani bëri thirrje për unitet kombëtar përballë dhimbjes së familjeve të të zhdukurve dhe sfidave që, sipas saj, vazhdojnë të ekzistojnë.
“Përballë dhimbjes së familjeve që ende kërkojnë më të dashurit e tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë”, përfundoi Osmani.
