Vjosa Osmani ka rikthyer në qendër të fushatës elektorale figurën e Ibrahim Rugova, duke e cilësuar “Rugovizmin” si projektin më modern politik për Kosovën.
Gjatë hapjes së fushatës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Osmani tha se sa herë Kosova ka nevojë për “urtësi, orientim, dinjitet shtetëror dhe bashkim”, ajo “kthehet te Rugova dhe te LDK-ja”.
Në tubimet e fundit, Osmani po e përdor shpesh trashëgiminë politike të Rugovës si bosht të mesazhit të saj elektoral, duke bërë thirrje për unitet dhe rikthim te fryma rugoviane.
“Sa herë që Kosova ka nevojë për urtësi, kthehet te Rugova!
Sa herë që Kosova ka nevojë për orientim, kthehet te Rugova!
Sa herë që Kosova ka nevojë për dinjitet shtetëror, kthehet te Rugova!
Sa herë që Kosova ka nevojë për bashkim, kthehet te Lidhja Demokratike e Kosovës!”, ka shkruar në Facebook ajo.
Anëtari i Guxo, Agim Rexhepi, ka deklaruar se Ibrahim Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, por ka ngritur dilema lidhur me përdorimin e emrit të tij në debate dhe fushata politike.
Ai tha se, megjithëse trashëgimia e Rugovës është e padiskutueshme në shtetndërtim dhe orientim perëndimor, partitë që pretendojnë se e përfaqësojnë frymën e tij nuk kanë arritur gjithmonë ta ruajnë unitetin politik që ai promovonte.
Sipas Rexhepit, historia politike e Lidhja Demokratike e Kosovës është shoqëruar me ndarje dhe përçarje të brendshme, gjë që, sipas tij, e bën të diskutueshëm pretendimin se kjo parti ka qenë vazhdimisht faktor bashkimi.
“Është e pamohueshme që Ibrahim Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës dhe se kontributi i tij në shtetndërtim, orientimin perëndimor dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës është i padiskutueshëm. Megjithatë, sa herë që emri i Rugovës përdoret në fushata apo debate politike, lind pyetja nëse po flitet për trashëgiminë e tij reale apo për një simbol elektoral që aktivizohet sa herë afrohen proceset politike.
Nëse Kosova kthehet gjithmonë te Rugova për urtësi, orientim dhe dinjitet shtetëror, atëherë duhet pyetur pse vetë forcat politike që pretendojnë trashëgiminë e tij nuk kanë arritur ta ruajnë vazhdimisht frymën e unitetit që ai promovonte. Historia politike e Lidhja Demokratike e Kosovës tregon se partia ka kaluar nëpër ndarje, përçarje dhe konflikte të brendshme të shumta. Kjo nuk e zbeh rëndësinë historike të LDK-së, por e bën të diskutueshëm pretendimin se ajo ka qenë gjithmonë faktor bashkimi”, tha ai për “Bota sot”.
Më tej, anëtari i partisë Guxo, Rexhepi tha se Kosova e sotme përballet me sfida krejt ndryshe nga ato të viteve ’90, duke theksuar se qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete për qeverisjen, ekonominë dhe sundimin e ligjit, e jo vetëm referenca historike.
Ai vlerësoi se orientimi euroatlantik i Ibrahim Rugovës mbetet aktual, por shtoi se trashëgimia e tij nuk duhet të përdoret si monopol politik. Sipas Rexhepit, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë jo vetëm përmendjen e Rugovës, por edhe zbatimin në praktikë të vlerave që ai përfaqësonte.
“Po ashtu, kur flitet për ‘orientim te Rugova’, duhet të kemi parasysh se Kosova e sotme përballet me rrethana krejt të ndryshme nga ato të viteve ’90 apo fillimit të viteve 2000. Skena politike është më e polarizuar, sfidat janë më komplekse dhe qytetarët kërkojnë jo vetëm referenca historike, por edhe zgjidhje konkrete për problemet aktuale. Orientimi strategjik euroatlantik që promovonte Rugova mbetet aktual, por ai nuk mund të përdoret si zëvendësim për debatet mbi qeverisjen, ekonominë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e vendit.
Prandaj, respekti për Rugovën duhet të jetë i përbashkët dhe mbi partiak. Trashëgimia e tij nuk duhet të shërbejë si monopol i asnjë subjekti politik, por si pjesë e historisë shtetformuese të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin jo vetëm kush e përmend më shpesh Rugovën, por edhe kush i zbaton në praktikë vlerat që ai përfaqësonte: urtësinë, tolerancën, ndërtimin e institucioneve dhe orientimin e qartë perëndimor”, – përfundon ai për gazetën.
