Lajme

Vodhi lokalin dhe më pas i vuri flakën/ Autori 36-vjeçar ishte përfitues i amnistisë, iu rikthye krimeve një ditë pas daljes nga burgu

Amnistia penale, e cila u dha lirinë e menjëhershme 541, jo për të gjithë të liruarit mundësoi një jetë të re larg telasheve me ligjin.

Mes përfituesve ishte edhe 36-vjeçari Mariglen Gashi, i dënuar më parë për vjedhje. Lirimi i tij nga burgu zgjati vetëm dy ditë pasi përfundoi sërish në pranga për të njëjtën vepër penale.

Të nesërmen e lirimit nga burgu 36-vjeçari dyshohet se iu rikthye të njëjtit aktivitet kriminal për të cilin ishte dënuar edhe më parë. Brenda vetëm dy ditësh, më 16 dhe 17 korrik, ai akuzohet se kreu dy vjedhje në fshatin Plug të Lushnjës.

Sipas hetimeve, fillimisht në një dyqan vodhi dy bateri automjetesh. Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit, u fut në një lokal në të njëjtin fshat, ku mori një shumë parash dhe një laptop. Përpara se të largohej, dyshohet se i vuri zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.

Gjurmët e lëna në vendngjarje dhe veprimet hetimore çuan Policinë në identifikimin dhe arrestimin e Mariglen Gashit.

Rasti ngre edhe një herë pikëpyetje mbi efektivitetin e amnistisë penale për persona me precedentë kriminalë, pasi në këtë rast, një i dënuar për vjedhje, i liruar falë këtij mekanizmi ligjor, dyshohet se kreu sërish të njëjtën vepër penale, duke e pasuar atë edhe me një akt zjarrvënieje.

Të Ngjashme