Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet i bazuar në merita, duke nënvizuar se vendet që përmbushin kriteret e kërkuara avancojnë drejt anëtarësimit.
Para nisjes së samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, von der Leyen përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi për progresin e arritur në rrugën e integrimit evropian.
Ajo theksoi se zgjerimi nuk duhet të jetë një proces i ngadalshëm, por më i shpejtë, më i besueshëm dhe më i dukshëm për qytetarët.
Sipas saj, vendet kandidate duhet të komunikojnë qartë përfitimet e integrimit, ndërsa edhe shtetet anëtare të BE-së duhet t’i informojnë qytetarët e tyre për vlerën që sjell zgjerimi i bllokut.
“Zgjerimi do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe një rol më të madh të Evropës në botë. Ekziston momentumi dhe tani duhet ta shndërrojmë atë në lëvizje konkrete dhe, në fund, në anëtarësim”, deklaroi von der Leyen.
Ajo vlerësoi se aktualisht ekziston një mundësi e rëndësishme për të avancuar procesin e zgjerimit dhe për të afruar më tej vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
