Lajme

Votat me postë, KQZ: Mbi 2 mijë pako të refuzuara dhe rreth 60 mijë të aprovuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka nisur procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës, ndërsa deri më tani janë aprovuar rreth 60 mijë pako me fletëvotime.

Sipas KQZ-së, numërimi ka filluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe po zhvillohet në 23 kuti postare të institucionit. Zarfet, pas procesit të vlerësimit, janë sistemuar sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi nga jashtë Kosovës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas ishin regjistruar për të votuar përmes postës.

Ai ka shtuar se paralelisht me numërimin po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të pranuara.

Sipas tij, deri në përfundim të 12 qershorit, janë trajtuar mbi 60 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 59,973, ndërsa 2,244 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit, sipas KQZ-së, është mungesa e dëftesës së regjistrimit në 2,066 raste.

‘‘Gjatë ditës së shtunë, në QNR ka vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Deri në përfundim të ditës së premte (12 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë mbi 60 mijë pako, prej të cilave janë aporvuar 59,973, ndërkaq janë refuzuar 2,244. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,066 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ’’, ka deklaruar Elezi./teve1.info/

Të Ngjashme