Emrat e përfaqësueseve të popullit në organin më të lartë legjislativ në vend janë bërë të qartë.
Numërimi ka përfunduar dhe tashmë dihet për numrin e mandative për secilën parti politike, sikurse dihet edhe kush ka arritur të fitojë një mandat të ri e kush ka mbetur jashtë kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, ka siguruar 53 ulëse apo 47.13 për qind të votave. Në këtë parti ka emra të rinj që do të jenë për herë të parë në kuvend, por ka edhe emra të vjetër të cilët kanë qenë në legjislaturat e më hershme dhe tani nuk janë zgjedhur. Ish- ministrja Rozeta Hajdari, Fatos Geci, Naim Bardiqi, Enver Dugolli, Egzon Azemi e Mytaher Haskuka janë disa nga emra që nuk arritën të zgjidhen deputetë.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, si e dyta, ka 22 mandate apo 19.44% do të funksionojë në kuvend pa disa fytyra të njohura partiake të cilat kanë qenë në legjislaturat e mëhershme. Nait Hasani, Adriatik Berisha, Hajdar Beqa e Xhavit Haliti janë disa nga emrat që nuk arritën të fitojnë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurse, e treta përsëri ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila do të ketë 18 ulëse apo 16.69 për qind. Adelina Thaçi e cila ka qenë në legjislaturën e kaluar tani nuk arriti të rizgjidhet, ndërsa emrat si Jeta Statovci e Haxhi Avdyli të cilët dolën nga Lëvizja “Guxo”, e cila është në koalicion me LVV-në, për t’iu bashkangjitur listës së Osmanit, nuk arritën të fitojnë votat e mjaftushme për t’u bërë deputetë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të futet në Kuvend me shtatë deputetë apo 6.74 për qind pas rritjes në zgjedhjet e 7 qershorit.
Megjithatë, emrat pritet të ndryshojnë sepse kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se do ta lëshojë karrigen e deputetit. Njësoj do të veprojë edhe Daut Haradinaj. Por deri më tani edhe për shkak të kuotës gjinore, Bekë Berisha nuk arrin të bëhet deputet, njëjtë është edhe Burim Ramadani.
Pse mbetën jashtë Kuvendit ish- deputetët?
Analisti politik, Skënder Zogaj, për “Bota sot” thotë se qytetarët të cilët dolën në votime kanë shfrytëzuar votën për të shprehur pakënaqësinë ndaj shumicës së kandidatëve sidomos atyre që për disa legjislatura me radhë kanë qenë deputetë pa ndonjë kontribut.
Sipas tij, mos zgjedhja e atyre figurave është sinjal i qartë se qytetarët nuk janë të gatshëm të mashtrohen pafundësisht nga njerëzit të pavlerë, të paaftë apo të komprometuar.
“Kosova po kalon një nga periudhat më zhgënjyese në historinë e saj si shtet i dalë nga robëria shekullore dhe i përcaktuar për të qenë shtet demokratik, i lirë dhe i pavarur. Megjithatë, edhe pas 26 vjetësh liri, ajo ende nuk po arrin të sillet dhe të funksionojë si një demokraci e mirëfilltë. Gjatë këtyre viteve, vendi është përballur me kriza të njëpasnjëshme, shpesh të rrezikshme e madje fatale, të nxitura nga strukturat e krimit dhe korrupsionit. Qytetarët e zakonshëm janë të indinjuar, të zhgënjyer dhe me shpresa të lënduara për të ardhmen e tyre. Kjo gjendje u pasqyrua qartë edhe në zgjedhjet e fundit, kur afërsisht dy të tretat e votuesve nuk dolën fare në votime. Ky fakt flet për një krizë të thellë besimi në shoqërinë kosovare. Ndërsa ata që votuan, në masë të madhe e shfrytëzuan votën për të shprehur pakënaqësinë ndaj shumicës së kandidatëve, sidomos ndaj atyre që për disa legjislatura me radhë kanë qenë deputetë pa ndonjë kontribut të dukshëm për qytetarët, duke e parë mandatin më shumë si privilegj personal sesa si përgjegjësi publike. Është inkurajuese që një numër i këtyre figurave politike këtë herë nuk arritën të sigurojnë mbështetjen e nevojshme. Ky është një sinjal i qartë se qytetarët nuk janë të gatshëm të mashtrohen pafundësisht nga njerëz të pavlerë, të paaftë apo të komprometuar”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.

Analisti politik, Skënder Zogaj
Shumë ish- deputetë që e konsideronin ulësen parlamentare si pronë të tyre personale, sipas Zogajt, kanë mbetur jashtë Kuvendit.
“Nuk dua të përmend emra të veçantë, por jam i bindur se deputetët që insistojnë në mandatet e treta e të katërta nuk i shërbejnë domosdoshmërisht të mirës së vendit. Edhe personalitetet më të shquara duhet ta kuptojnë se dy mandate janë të mjaftueshme. Dy mandate përfaqësojnë kulturë demokratike, qytetari politike dhe përgjegjësi ndaj shtetit. Nuk kam bërë një analizë të detajuar të rezultateve, por aq sa kam vërejtur, shumë prej ish-deputetëve që e konsideronin ulësen parlamentare si pronë të tyre personale kanë mbetur jashtë Kuvendit. Kjo është një nga anët më pozitive të këtyre zgjedhjeve dhe një shenjë se vetëdija qytetare, megjithëse e lënduar, ende ekziston dhe di të reagojë”, shprehet Zogaj.
Faktorët që kanë ndikuar në rënien e ish- deputetëve
Ndërsa, analisti Gani Qarri, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se rënia e deputetëve veçanërisht të PDK-së si Hajdar Beqa e Xhavit Haliti, ka ndodhur për shkak të performancës së dobët individuale.
“Në fakt me numërimin e mëtejmë të votave, nëse vijon trendi i deritanishëm, mund të ketë serish ndryshim në shpërndarjen e mandateve të partive politike dhe parashikimet tanimë dëshmuan se Lëvizja Vetëvendosje arriti në 53 mandate në Kuvend, me ç`rast ndryshimet e radhës, ashtu siç pritej goditën pikërisht partitë opozitare dhe sërish vetë LDK-në, të cilës LVV ia mori përsëri edhe një mandat. Njoftimet në media bëjnë të ditur se edhe Xhavit Haliti, Hajdar Beqa, Adriatik Berisha, Bekë Berisha, Egzon Azemi, , bazuar në rezultatet aktuale, rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit të kësaj legjislature, megjithëse fillimisht duhet pritur përfundimi i numërimit të të gjitha votave dhe certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ, për të dalë me konkludime më të sakta. Në këto zgjedhje rreth 30 deputetë të legjislaturës së kaluar, pritet të mos jenë më, pjesë e përbërjes së re të Kuvendit, por te një pjesë e atyre që nuk kanë arritur të sigurojnë mandatin në votimet e 7 qershorit, veçanërisht te PDK, si Hajdar Beça e Xhavit Haliti etj, rënia më tepër ka ndodhur shkaku i performancës së dobët individuale, si dhe si pasojë e uljes drastike të mbështetjes nga votuesit, derisa AAK si parti minore ka arritur të marrë numër shumë të vogël të votave, ku përveç numrit të kufizuar të deputetëve, vije në shprehje edhe kuota gjinore”, deklaron Qarri.

Analisti politik, Gani Qarri
Ai përmend edhe faktorë tjetër që mund të kenë ndikuar në rënien e deputetëve, gjersa nuk përjashton zgjedhje të reja.
“Shto gjithë kësaj faktin se përveç faktorëve të tjerë të lartcekur, në renditjen e kandidatëve dhe formulimin e listës së deputetëve ka ndikuar mjaft edhe konkurrenca brenda listave zgjedhore, andaj disa nga deputetët e legjislaturave të kaluara, që do të mbeten jashtë Kuvendit, u mbetet ta provojnë fatin në situata më të favorshme dhe zgjedhjet e radhës, të cilat, në qoftë se vazhdon avazi i legjislaturës së kaluar me mosmarrëveshjet e njohura ndërmjet partive politike, për (mos)zgjedhjen e presidentit/es, edhe zgjedhjet tjera të parakohshme, mund të vijnë shumë shpejt dhe të mos jenë fare të largëta”, përfundon Qarri për “Bota sot”.
