Në Gjykatën Themelore në Pejë ka vazhduar gjykimi ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.
Në seancën e sotme është paraparë vazhdimi i paraqitjes së fjalëve përfundimtare, ndërsa në seancën e kaluar prokurorja Sahide Gashi ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, të cilët akuzohen për vrasjen e tre personave, përfshirë dy të mitur.
Në sallën e gjykimit kanë qenë të pranishëm edhe nxënësit që ndodheshin në autobus në momentin e ngjarjes, të cilët në seancën e kaluar kanë kërkuar drejtësi për shokët e tyre.
Avokati i familjes së viktimës Gani Gjokaj, Arianit Koci, ka kërkuar gjithashtu burgim të përjetshëm për të akuzuarit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj.
“Të gjithë e përshkruajnë të njëjtën skenë, që një person i maskuar ecte si i dehur që autobusi të ndalte shpejtësinë. U vërtetua se Gani Gjokaj ngriti duart, si shenjë vetëmbrojtje. Nga raportet e autopsisë u vërtetua vdekja e tre viktimave. Plumbat nuk e prekën vetëm hekurin e autobusit, por prekën jetë njerëzish. Nga bastisjet në shtëpinë e të akuzuarve u vërtetua se u gjetën 157 fishekë… kërkojmë të akuzuarit të shpallen fajtor, sipas aktakuzës. Kërkojmë që nga të akuzuarit të shpallet dënimi më i rëndë, burgimi i përjetshëm”, është shprehur Koci.
Ai ka theksuar se ky është dënimi që, sipas tij, i jep kuptim drejtësisë.
“Ky është dënimi që i jep kuptim drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Dënim maksimal ka kërkuar edhe bashkëshortja e të ndjerit Gani Gjokaj.
“Shpresoj të jepet dënimi maksimal”, ka thënë ajo.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj dyshohet se kanë kryer sulmin me motive hakmarrjeje, në bashkëkryerje dhe me marrëveshje paraprake.
Në aktakuzë thuhet se viktimë e sulmit ka qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri Gani Gjokaj, si dhe dy nxënësit e mitur L.H. (17) dhe G.M. (17).
Po ashtu, thuhet se i pandehuri Halil Mehmetaj e kishte fajësuar më herët Gjokajn për një tragjedi familjare dhe kishte shprehur qëllim për hakmarrje, duke e konsideruar atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tij.
Në aktakuzë përshkruhet se i pandehuri Kastriot Mehmetaj, i armatosur me armë automatike AK-47, dyshohet se ka qëndruar në pritë dhe ka qëlluar në drejtim të autobusit, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e një tjetri.
Ndërsa, pas sulmit, i njëjti dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e bashkëpunëtorëve, ndërsa arma e krimit është asgjësuar më pas.
