Lajme

Vrau dy vëllezërit me armën e shërbimit dhe plagosi rëndë të tretin, ky është autori, punonjës ushtarak

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Kamëz, ku një punonjës ushtarak ka ekzekutuar me armë zjarri dy vëllezër, ndërsa të tretin e ka lënë të plagosur rëndë.

Autori është identifikuar si Ngushëllim Manzi, rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake, i cili është arrestuar pas krimit, së bashku me armën.

Viktima kanë mbetur Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, dhe Nazmi Islamaj, rreth 48 vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur Shefqet Ismailaj, rreth 44 vjeç. Ky i fundit është transportuar drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë.

Autori ka qenë fqinj me tre vëllezërit, ndërsa dyshohet se sherri ka nisur për një konflikt të çastit. Autori e ka kryer krimin me armën e shërbimit, teksa, pasi është arrestuar, nuk ka pranuar të deklarojë asgjë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vrau me armë zjarri, për motive të dobëta, 2 shtetas dhe plagosi 1 tjetër, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Petrela”, në Bathore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan menjëherë në vendngjarje.

Nga veprimet e para rezultoi se, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I., konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.

Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

Të Ngjashme