Shkencë & Teknologji

WhatsApp sjell një funksion të ri për thirrjet

WhatsApp ka prezantuar një veçori të re të rëndësishme që u mundëson personave pa llogari përdoruesi të marrin pjesë në thirrje.

E vetmja gjë që nevojitet për t’u bashkuar është një lidhje (link) e dërguar nga organizatori i thirrjes.

Funksioni i ri, i quajtur “thirrje për të ftuar” (guest calls), u hap mundësinë e bisedave audio dhe video personave që nuk e përdorin WhatsApp-in.

Atyre nuk u duhet të regjistrohen apo të instalojnë aplikacionin për të marrë pjesë.

Të gjitha bisedat mbrohen nga enkriptimi “nga fundi në fund” dhe nuk kanë kufizime kohore.

Ky funksion është i disponueshëm si për thirrjet midis dy personave, ashtu edhe për bisedat në grup, të cilat mund të përfshijnë deri në 32 pjesëmarrës.

Një përdorues i WhatsApp-it që dëshiron të ftojë dikë pa llogari, duhet fillimisht të krijojë një lidhje për thirrjen.

Kjo lidhje gjenerohet brenda menysë “Thirrjet”, duke zgjedhur opsionin për krijimin e një lidhjeje.

Lidhja e krijuar më pas mund t’i dërgohet kujtdo. Marrësi e hap atë në një shfletues uebi në kompjuterin e tij, shkruan emrin dhe mund t’i bashkohet bisedës menjëherë.

Ka disa kufizime: organizatori i thirrjes duhet të jetë gjithsesi një përdorues i regjistruar i WhatsApp.

Për më tepër, për momentin, të ftuarit mund t’u bashkohen thirrjeve vetëm përmes një shfletuesi uebi në kompjuter.

WhatsApp ka zbatuar gjithashtu një masë sigurie për të parandaluar hyrjen e personave të padëshiruar.

Të gjithë të ftuarit fillimisht hyjnë në një dhomë pritjeje virtuale dhe mund të marrin pjesë në bisedë vetëm pasi organizatori t’u japë qasje.

Organizatori mund t’i largojë ata nga thirrja në çdo moment.

Të Ngjashme