Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kosovë, ku Valon Ramushi vrau bashkëshorten e tij Nafije dhe vëllain e saj, Egzon Bogujevci.
Sipas mediave vendase, policia ka kryer kontrolle në banesën e Ramushit në Gjilan, ku është gjetur një arsenal armësh.
Sipas njoftimit, në banesë janë sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Po ashtu, policia ka konfiskuar edhe disa telefona celularë dhe pamjet e kamerave të sigurisë, si prova rreth ngjarjes. “Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”, njofton policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Livoç i Ulët në Gjilan, ku Valon Ramushi qëlloi me armë Nafije Ramushin pasi ajo i këkroi divorcin. Po ashtu ai vrau edhe vëllain e saj, Egzon Bogujevci, ndërsa plagosi xhaxhain e tyre. Pasi e qëlloi, Valon Ramushi e dërgoi Nafijen në urgjencën e spitalit, por e reja nuk mundi të mbijetonte. Vëlla e motër ishin afro 30 vjeç.
Pas ngjarjes ai u arrestua dhe po mbahet në qeli, teksa trupat e viktimave janë dërguar në morg ku do i nënshtrohen autopsisë.
