Një person 27-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa babai i tij, 57 vjeç, ka mbetur i plagosur si pasojë e një përleshjeje mes dy familjeve në Prizren, të cilat sipas raportimeve janë në lidhje farefisnore.
Sipas Policisë së Kosovës, konflikti ka ndodhur me përdorimin e mjeteve të forta, ndërsa viktima ka pësuar plagë fatale nga një mjet i mprehtë.
“Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka humbur jetën një mashkull rreth 27-vjeçar, ndërsa një person tjetër, babai i viktimës, rreth 57 vjeç, ka pësuar lëndime”, njoftoi Policia.
Pas incidentit, personat e dyshuar dhe familjarët e viktimës janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për procedura të mëtejshme hetimore.
Në vendngjarje kanë intervenuar njësitë përkatëse policore, përfshirë hetuesit dhe drejtuesit e Policisë në nivel lokal dhe rajonal. Autoritetet kanë ndërmarrë masa shtesë sigurie për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin publik.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet që çuan në këtë ngjarje tragjike. /teve1.info/
