Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shfrytëzuar shtëpinë familjare në Çipuljiq për të pritur disa prej figurave më të afërta politike që prej vitesh mbështesin linjën e Beogradit në rajon – presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, si dhe drejtuesit e Partisë Demokratike Popullore të Malit të Zi, Milan Knezheviq dhe Milun Zogoviq.
Nga ky takim është publikuar edhe një foto.
Takimi, i prezantuar nga Vuçiq si një mbledhje miqësore mes “vëllezërve serbë”, në fakt pas saj fshihet një tjetër shfaqje publike e rrjetit politik që lidhet me projektin e ashtuquajtur “botë serbe” – një koncept i promovuar nga qarqe politike në Beograd që synon forcimin e ndikimit të Serbisë mbi komunitetet serbe në vendet fqinje.
Në tavolinën e shtëpisë familjare të Vuçiqit u ulën figura që në vitet e fundit kanë qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të politikave të Beogradit: Dodik në Republikën Serbe ne BeH, i cili vazhdimisht ka sfiduar institucionet shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovines, ka kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Lartë dhe ka bërë deklarata që janë kritikuar për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës,, si dhe politikanët malazezë Milan Knezheviq dhe Milun Zogoviq pjesëtar te Partisë Demokratike Popullore (DNP), te dytë iniciatorët e tërheqjeve te njohjes se Republikës se Kosovës nga Mali i Zi, të njohur për qëndrimet e tyre të afërta me Rusinë.
Milorad Dodik prej vitesh konsiderohet një nga aleatët më të rëndësishëm të Vuçiqit. Ai ka ndërtuar një politikë të bazuar në forcimin e autonomisë së Republikës Srpska dhe në përplasje të vazhdueshme me institucionet qendrore të Bosnjë e Hercegovinës. Lidhjet e tij të ngushta me Beogradin dhe retorika nacionaliste e kanë bërë atë një nga figurat kryesore të debatit për ndikimin serb në rajon.
Ndërkohë, Milan Knezheviq dhe Milun Zogoviq përfaqësojnë krahun më të afërt me Rusinë në politikën malazeze. Ata kanë qenë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës dhe kanë mbështetur iniciativa për të ndryshuar qëndrimin e Malit të Zi ndaj saj, duke mbrojtur shpesh pozicionet e Beogradit në çështjet rajonale.
Takimi në vendin Çipuljiq vjen në një kohë kur Mali i Zi po synon përparim drejt Bashkimit Evropian dhe kur Podgorica zyrtare kërkon të forcojë orientimin euroatlantik.
