Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka konfirmuar se Serbia ishte i vetmi shtet pjesëmarrës në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, të mbajtur në Kiev, që refuzoi të nënshkruajë Deklaratën e përbashkët, duke e veçuar Beogradin nga të gjitha vendet e tjera të rajonit në raport me mbështetjen për Ukrainën dhe dënimin e agresionit rus.
Deklarata e Kievit riafirmon mbështetjen politike, ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën, mbështet aspiratat e saj euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO, si dhe kërkon shtimin e presionit dhe sanksioneve ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
Refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar dokumentin lidhet me pjesët që kërkojnë forcimin e presionit ndaj Moskës, duke dëshmuar edhe një herë se Beogradi vazhdon të mbrojë partneritetin e tij strategjik me Kremlinin dhe të shmangë bashkimin me politikën e përbashkët euroatlantike ndaj agresionit rus në Ukrainë.
Edhe pse Vuçiq deklaroi se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, vendimi për të mos nënshkruar deklaratën e përbashkët nxori në pah kontradiktën mes retorikës pro-evropiane të Beogradit dhe refuzimit për t’iu bashkuar një dokumenti që dënon agresionin rus dhe kërkon përgjegjësi ndërkombëtare.
Në samit, të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse u zotuan të vazhdojnë mbështetjen politike, ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën, të ndihmojnë në rindërtimin e saj, të forcojnë mbrojtjen ajrore, sigurinë energjetike dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si dhe të mbështesin integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Vizita e Vuçiqit në Kiev ishte e para e një presidenti serb në kryeqytetin ukrainas pas më shumë se dhjetë vjetësh. Megjithatë, në vend që ta përdorte këtë vizitë për t’u rreshtuar me partnerët evropianë në dënimin e agresionit rus, Serbia zgjodhi të mbetet i vetmi shtet jashtë konsensusit rajonal, duke dëshmuar lidhjen me Moskën.
