Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale nga Glenn Robert Morrison ambasador i Australisë në Kroaci, me akreditim jorezident në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë.
“Pavarësisht largësisë gjeografike, vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të mira, të cilat forcohen edhe nga komuniteti shqiptar që prej dekadash është pjesë e shoqërisë australiane. Ka hapësirë që këtë afërsi ta shndërrojmë në bashkëpunim edhe më të madh në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se gjatë takimit Haxhiu e çmoi lart mbështetjen e Australisë ndaj Kosovës në periudha vendimtare për vendin.
Glenn Robert Morrison është ambasador i Australisë në Kroaci, ndërsa nga ajo detyrë është i akredituar edhe për Kosovën.
