Lajme

Xani: Kurti duhet ta fokusojë gjithë agjendën te LDK-ja

Analisti politik, Visar Xani ka vlerësuar se kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet ta fokusojë gjithë agjendën e tij në takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për çështjet politike.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Xani ka theksuar se Kurti duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një marrëveshje me LDK-në.

“Axhenda e Kurtit do të duhej të ishte komplet takime LDK, LDK, LDK, pasi që LDK-ja ia ka hapur derën. Pra, vetëm gjumi me e nda nga përpjekja e tij për të gjetur dhe për t’i kënaqur njerëzit e LDK-së për të dhënë votën për presidentin, ose e kundërta, që LDK-ja me e gjet kandidatin”, ka deklaruar Xani.

Ai ka thënë se Kurti do të duhej të ishte edhe më gjeneroz në ofertën ndaj LDK-së, duke marrë parasysh se, sipas tij, ky subjekt politik është i vetmi që i ka dhënë mundësi për diskutime.

“Në mënyrë absolute, për shkak se ne po shohim që më shumë ka një interpretim të ofertës sesa një ofertë reale. Ne nuk e dimë dhe nuk e kemi parë një ofertë serioze që mund të themi: ‘Okej, LDK-ja po gabon që po i thotë jo kësaj oferte’. Deklaratat e Kurtit për ofertën nuk i takojnë atij. Ai është një kryetar i një partie politike që po synon me pak gjë me marrë presidentin e kryeministrit e gati krejt ministritë”, ka shtuar ai.

Xani ka kritikuar gjithashtu, siç e ka përshkruar ai, mungesën e angazhimit politik të Kosovës në muajt e fundit.

“Situata në të cilën ndodhemi, Kosova ka zero angazhim politik për gjithçka. Përveç deklaratave politike, nuk kemi asgjë reale që është duke shkuar tutje për katër-pesë muajt e fundit. Shihni çfarë raportesh kanë krijuar SHBA-ja dhe Serbia, çfarë ndryshimi strategjik ka bërë Vuçiqi në raport me Serbinë. Çdo kërkesë që vjen ekonomike me prioritet trajtohet nga Qeveria e Serbisë dhe Partneriteti për Paqe e ka tutje, ndërsa ne jemi askund hiç”, ka deklaruar Xani.

Sipas tij, Kosova po mbetet prapa në procesin e integrimit evropian, krahasuar me vendet e rajonit.

“Ne s’e kemi pranuar as statusin kandidat, s’e kemi asnjë kapitull të hapur në BE, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria janë pranë. Ne s’e kemi nisur as rrugëtimin për këtë çështje”, ka përfunduar ai./teve1.info/

Të Ngjashme