Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka organizuar Forumin Rajonal të Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë nga rajoni.
Drejtoresha e YIHR KS, Marigona Shabiu, tha se mbrojtësit e të drejtave të njeriut po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha, përfshirë sulme dhe kërcënime për shkak të angazhimit të tyre.
Ndërkaq, zëvendësi i Avokatit të Popullit, Niman Hajdari theksoi se në një shoqëri demokratike mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e lirive dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
Përfaqësuesi i UNMIK-ut, Peter N.Due tha se UNMIK-u mbetet i përkushtuar për të mbështetur paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë, ndërsa mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten shtyllë qendrore e këtij angazhimi.
