Lajme

Zbardhet SKEMA si përfitoheshin tenderat: Ergys Agasi del nesër para gjyqit, ja ora e seancës

Ergys Agasi, i arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Durrës, do të dalë nesër para Gjykatës. Seanca për caktimin e masës së sigurisë është planifikuar në orën 09:30.

Agasi u arrestua pas një operacioni të SPAK, pas rreth tetë muajsh në kërkim dhe dy javësh vëzhgim nga autoritetet. Bashkë me të u arrestua edhe ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku.

Akuzat me të cilat përballet Agasi

Biznesmeni dyshohet për veprat penale “grup kriminal”, “pastrim parash”, “shkelje e barazisë në tendera”, “konkurrencë e paligjshme” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.

Sipas hetimeve të SPAK, Agasi dyshohet se në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri kishte krijuar një grup kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku tenderat me vlera të larta dyshohet se paracaktoheshin në favor të kompanive të lidhura me biznesmenin.

Beqiri është arrestuar në Francë, ndërsa për të njëjtën çështje janë nën hetim edhe ish-drejtorja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ish-zëvendësja e saj, biznesmenë dhe zyrtarë të lartë të Policisë.

Si u arrestua Agasi

Automjeti me të cilin Agasi udhëtonte së bashku me Shpatarakun u pikas fillimisht në Elbasan.

Pas koordinimit me prokurorët e SPAK, policia ndoqi automjetin dhe bllokoi akset kryesore.

Makina, e drejtuar nga Shpataraku, u ndalua në zonën e Plepatit në Durrës, ku u rrethua nga forcat e posaçme operacionale.

Gjatë kontrollit, Agasit dhe Shpatarakui u gjetën me 4 mijë euro. Ndërkohë, hetimet përfshijnë edhe sekuestrimin e një automjeti Land Rover Defender, i cili ishte bllokuar më herët në garazhin e një vile në Equos Resort.

Sipas dosjes hetimore, një prej dyshimeve ndaj grupit lidhet edhe me përdorimin e kërcënimeve dhe rrëmbimeve ndaj rivalëve në biznes, me qëllim tërheqjen e tyre nga tenderat. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit person të përfshirë.

Të Ngjashme