Polici 35-vjeçar nga Prizreni u gjet i pajetë në varrezat e Morinës
Detaje të reja janë bërë të ditura për ngjarjen e rëndë të regjistruar mëngjesin e sotëm në Kukës, ku një efektiv policie nga Prizreni u gjet pa shenja jete në varrezat e fshatit Morinë.
Viktima është identifikuar me inicialet Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren dhe pjesë e Njësisë së Reagimit të Shpejtë.
Trupi i tij u konstatua rreth orës 08:25, ndërsa pranë vendit të ngjarjes u sekuestrua një armë zjarri, e cila po i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme.
Policia e Shtetit po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të përcaktuar nëse arma e sekuestruar ishte arma e shërbimit të 35-vjeçarit.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
