Lajme

Mblidhen protestuesit para Qeverisë, pritet konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës për rastin e Arlinda Zekajt

Protestuesit kanë nisur të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku pas pak pritet të fillojë konferenca e dy ministrave, Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

Konferenca e përbashkët e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme është paralajmëruar për orën 09:00, ndërsa protestuesit po kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit njoftoi se ka pranuar raportet e hollësishme të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me trajtimin e rastit të viktimës.

Sipas njoftimit, raportet do të analizohen për të identifikuar lëshimet, neglizhencën, mosreagimin dhe përgjegjësinë e mundshme institucionale.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Gërvalla dhe Sveçla do të flasin për këto raporte dhe veprimet e mëtejme.

Ndërkohë, protestuesit janë mbledhur para objektit qeveritar, duke vazhduar kërkesat për përgjegjësi nga institucionet që kanë trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.

Vrasja e saj ka nxitur protesta dhe reagime të shumta gjatë ditëve të fundit në Kosovë.

Të Ngjashme