Shëndetësi

Zbulohet pilula që mban nën kontroll peshën

Shkencëtarët kanë zbuluar një pilulë e cila i mban njerëzit të dobët pavarësisht se sa kalori konsumojnë ata
Një ekip në Universitetin e Teksasit ka dalë me një pilulë që përshpejton metabolizmin e trupit dhe e bën atë shumë më efikas në shkrirjen e sheqerit dhe yndyrës, raporton “Daily Mail”.

Pilula punon duke kufizuar magnezin që të transportohet në mitokondri, pjesa e qelizës që është përgjegjëse për prodhimin e energjisë dhe djegien e kalorive.

Pilula është provuar te minjtë dhe u zbulua se brejtësit mbeten të dobët edhe pasi hëngrën një dietë perëndimore me kalori të lartë.

Biokimisti i këtij studimi Dr. Madesh Muniswamy tha: “ Një pilulë që zvogëlon rreziqet nga sëmundjet kardiometabolike të tilla si ataku në zemër, kanceri i mëlçisë, do të kishte një ndikim të madh. Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë më tutje këtë pilulë”.

Ekipi ka aplikuar për patentimin e kësaj formule dhe shpreson se në një të ardhme të afërt ta provojë se si ndikon te njerëzit marrja e kësaj pilule.

Studimet shkencore më herët patën treguar se magnezi zvogëlon prodhimin e energjisë në qeliza mitokondriale, studim ky që inspiroi zhvillimin e pilulës së re për humbje peshe.

Formula funksionon duke fshirë një gjen specifik që quhet MRS2, që promovon magnezin në mitokondri. Pra, kur ndalet prodhimi i këtij gjeni reduktohet sasia e mineraleve që hyjnë në qelizë dhe si rezultat i kësaj bëhet përshpejtimi i metabolizmit.

Ka pasur shumë kufizime gjatë këtij studimi që lë të nënkuptohet se në disa minj që është provuar pilula nuk ka pasur të njëjtin efekt. Kjo, sepse organizmat janë të ndryshëm nga njëri tjetri dhe gjeni MRS2 është ndalur komplet në disa minj, që do të thotë se studiuesit nuk mundën ta zhvillojnë studimin e tyre në disa organe të tjera specifike.

Gjeni MRS2 është prezent edhe në tru, zemër, veshkë e mushkëri dhe nëse bëhet ndalja e gjenit komplet mund të ketë një ndikim negativ në pjesë të tjera të trupit.