Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës tha se LVV ka shkelur të gjitha afatet kushtetuese.
Zemaj tha se në kushte normale tashmë Kuvendi i Kosovës do duhej të ishte konstituuar.
“Në kushte normale është dashtë të bëhej konstituimi i Kuvendit, ajo çka është e ditur dhe çka kemi theksuar që kemi pasur rezervat tona për sjelljen e LVV-së, duke marrë parasysh se janë shkelur afatet kushtetuese dhe pritshmëritë kanë qenë të stërgjatet për lojërat e tyre politike të brendshme ose për ndonjë arsye tjetër që vetëm ata mund ta dinë, por që është në dëm të Republikës së Kosovës dhe interesave të saj”, tha fillimisht ai.
Tutje, Zemaj tha se LDK nuk është parti që funksionon me kushtëzime dhe nuk e bllokon konstituimin e Kuvendit.
“Ne nuk funksionojmë me kushtëzime, por nuk jemi ata që bllokojmë konstituimin e Kuvendit, mund t’i tejkalojmë edhe ato që mendojmë që i kemi subjektive, por atë që e kemi thënë që logjika e LVV-së për t’i nënshtruar të tjerët te LDK-ja nuk kalon”, shtoi ai.
