Lajme

Zeqiri: Vendimi i Kushtetueses po e çon vendin drejt zgjedhjeve

Sadik Zeqiri ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe konstituimin e institucioneve. Ai ka theksuar se ky vendim më shumë po e çon vendin drejt zgjedhjeve sesa drejt zgjidhjes së problemeve politike dhe funksionimit të Kuvendit.

Zeqiri tha se vendimi ka sqaruar disa çështje, ndërsa ka lënë në fuqi afatin prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Gjykata Kushtetuese ka sqaruar disa gjëra, por shumicën e ka lënë ashtu siç e kemi ditur të gjithë. E ka lënë në fuqi që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Zeqiri.

Ai theksoi se Gjykata ka bërë me dije se Qeveria është zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme dhe mund të vazhdojë punën.

Po ashtu, ai tha se afati për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 6 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

“Është njoftuar për mandatin e zgjedhjes së presidentit, që ka filluar më 6 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Nëse pas 6 tetorit nuk do të kemi president të zgjedhur, vendi do të shkojë në zgjedhje”, u shpreh ai.

Zeqiri tha se vendimi i Kushtetueses ua ka bërë të qartë subjekteve politike dhe juristëve të partive politike se afati për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë nga certifikimi i rezultateve.

Ai kritikoi interpretimet e ndryshme të afateve kushtetuese, duke thënë se për çështjet kushtetuese duhet të flasin juristët.

“Për çështje kushtetuese le të merren juristët, ata që dinë, sepse fatkeqësisht kemi edhe disa që po ia huqin”, tha Zeqiri.

Duke folur për ankesën e Partisë Demokratike, Zeqiri tha se ajo lidhet edhe me çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe kryetarit të Kuvendit.

“Rreth kryetarit të Kuvendit, një herë është marrë një aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese, ku e ka përcaktuar datën e saktë, që është vetëm 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, tha ai.

“Unë e shoh, fatkeqësisht, që edhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese më shumë po e çon vendin drejt zgjedhjeve sesa drejt zgjidhjes së problemeve të brendshme politike dhe punës e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Të Ngjashme