Lajme

Zëvendësministri Nimoni: Ndërmjetësimi po lehtëson gjyqësorin dhe rrit qasjen në drejtësi

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori pjesë në hapjen e Forumit Rajonal të Ndërmjetësimit në Tiranë, në kuadër të së cilit u lansua zyrtarisht projekti rajonal “SEE Mediation – Forcimi i Sistemeve të Ndërmjetësimit në Evropën Juglindore”.

Gjatë forumit, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e ndërmjetësimit si një mekanizëm efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, lehtësimin e ngarkesës së sistemit gjyqësor dhe rritjen e qasjes së qytetarëve në drejtësi.

“Ndërsa, rezultatet flasin vetë, vetëm në vitin 2025, sipas statistikave zyrtare, janë zgjidhur 11,937 lëndë në ndërmjetësim. Këto shifra tregojnë qartë se ndërmjetësimi po fiton besimin e qytetarëve”, tha Zëvendësministri Nimoni.

Ai vuri në pah se Kosova ka shënuar rezultate të rëndësishme në funksionalizimin e ndërmjetësimit si në çështjet penale ashtu edhe në ato civile, ndërsa me ndryshimet e fundit ligjore ky mekanizëm është zgjeruar edhe në fushën administrative, duke afruar sistemin e drejtësisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Në këtë drejtim, Zëvendësministri Nimoni falënderoi të gjithë akterët institucionalë dhe partnerët e tjerë për kontributin e vazhdueshëm në fuqizimin e mekanizmit të ndërmjetësimit në Republikën e Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për avancimin e mëtejmë të këtij mekanizmi në shërbim të qytetarëve.

Në hapjen e këtij forumi morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, ndërmjetësues dhe partnerë ndërkombëtarë nga vendet e rajonit, të cilët diskutuan për zhvillimin e sistemeve të ndërmjetësimit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.

Projekti “SEE Mediation” synon të mbështesë avancimin e sistemeve të ndërmjetësimit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, në përputhje me standardet evropiane dhe reformat në drejtësi.

Të Ngjashme