Deri më sot, tendenca që ka dominuar në botën e parfumeve ishte të zgjidhnim një aromë dhe ta përdornim çdo ditë, pra të kishim një “aromë karakteristike”.
Tendenca e re në botën e bukurisë vjen për të ndryshuar këtë zakon.
Scent stacking, ose ndryshe shtresëzimi i aromave, bazohet në idenë se mund të kombinojmë dy ose më shumë aroma, duke krijuar një rezultat krejtësisht unik, vetëm tonin.
Në praktikë, në vend që të kufizoheni në një aromë të vetme kur zgjidhni çfarë të përdorni gjatë ditës, ju “ndërtoni” parfumin tuaj në shtresa, parfume, body mist, vajra aromatikë apo edhe kremra me aromë kombinohen mes tyre, duke krijuar një efekt më kompleks dhe më shumëdimensional. Aroma përfundimtare është shuma e zgjedhjeve tuaja, një aromë e re që evoluon mbi lëkurën tuaj gjatë gjithë ditës.
Popullariteti i scent stacking lidhet me një ndryshim më të gjerë në filozofinë e parfumeve, aroma nuk është më një karakteristike dhe e pandryshueshme, por sipas humorit, stinës apo rastit, mund të krijoni kombinime të ndryshme, më të freskëta për mëngjesin, më të ngrohta ose gourmand për mbrëmjen.
Si ta aplikoni saktë? Filloni me një bazë, për shembull një krem trupi ose vaj aromatik. Vazhdoni me një body mist me përbërje më të lehtë, ndërsa mund ta “mbyllni” rezultatin me një parfum më të fortë, që i jep qëndrueshmëri aromës. Ideja është të krijoni një ekuilibër, notat që i përkasin të njëjtës familje (p.sh. floral me floral ose woody me amber) përshtaten më mirë me njëra-tjetrën, ndërsa kontrastet mund të funksionojnë kur kërkoni diçka më të guximshme.
Një tjetër avantazh është qëndrueshmëria. Shtresëzimi e “fikson” aromën në lëkurë, duke e bërë të zgjasë më shumë dhe të zhvillohet më butë gjatë ditës. Në të njëjtën kohë, ju jep mundësinë të përdorni aroma që ndoshta nuk i përdornit shpesh, duke i përshtatur përmes kombinimeve të reja.
Gjëja më e rëndësishme është se scent stacking nuk ka rregulla të forta.
Është një proces eksperimentimi, ndaj sa më shumë të provoni, aq më lehtë do të gjeni kombinimet që ju pëlqejnë dhe ju përshtaten realisht.
