Me afrimin e afatit kushtetues që përfundon më 28 prill, sinjalet e dhëna nga subjektet kryesore politike në Kosovë nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm sa i përket arritjes së një kompromisi për zgjedhjen e presidentit të ri.
Duke marrë parasysh vështirësinë e një partie të vetme për të siguruar shumicën prej 81 votash në Kuvend, shtrohet edhe pyetja nëse Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të vazhdueshëm bllokadash politike.
Për këto zhvillime për “Bota sot” ka folur drejtori i LQSHA-së, Agim Aliçkaj, i cili ka dhënë vlerësimet e tij për situatën aktuale dhe rrugëdaljet e mundshme.
Fillimisht, tha se të gjitha partitë kanë përgjegjësi për zgjedhjen e presidentit, mirëpo potencoi se, ai nuk mund të jetë nga radhët e humbësve të zgjedhjeve të dhjetorit 2025.
“Partitë dhe deputetët që luajnë me fatin e Dardanisë dhe të kombit shqiptar do të ndëshkohen nga populli.
Populli shumicë i Kosovës, më 28 dhjetor 2025, e shprehu vullnetin e tij të lirë dhe bindshëm, me mbi 51%, që Kryeministri Albin Kurti, së bashku me koalicionin e tij (LVV, Guxo, Alternativa, PSHDK), të qeverisë Republikën e Kosovës edhe për një mandat të dytë. Ky është një vendim plotësisht demokratik dhe normal, sidomos kur krahasohet me qeverisjen disavjeçare të partive të tjera si PDK, LDK, AAK dhe NISMA.
Fjala kryesore për zgjedhjen e Presidentit i takon fituesit të zgjedhjeve, por përgjegjësia për gjetjen e një kandidati të aftë dhe të përshtatshëm u takon të gjithëve. Presidenti nuk mund të jetë, në asnjë mënyrë, nga radhët e humbësve të zgjedhjeve. Ai duhet të jetë sa është reale unifikues dhe konsensual, por jo kundërshtar politik i Kryeministrit, pasi bashkëpunimi mes tyre është në interes të shtetit”, deklaroi ai.
![]()
Agim Aliçkaj
Krahas kësaj, Aliçkaj vlerësoi përpjekjet e presidentit Kurti për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje, derisa kritikoi opozitën për refuzim kompromisi.
Në këtë pikë, ai tha se krijimi i bllokadës dhe rrëzimi i qeverisë Kurti, i shërben vetëm Serbisë, derisa ritheksoi se, qeveria e Beogradit në vazhdimësi lobon, propagandon dhe vepron kundër Kosovës.
Nisur nga kjo, kërkoi nga krerët e partive opozitare të lënë mënjanë inatet e interesat personale dhe të punojnë e veprojnë në të mirë të shtetit.
“Kryeministri Kurti po bën çdo përpjekje për zgjedhjen e Presidentit, duke u ofruar partive opozitare më shumë beneficione sesa u takojnë në bazë të rezultatit zgjedhor. Refuzimi i tyre, pa ofruar asnjë zgjidhje apo propozim, tregon mungesë interesi për ndërtimin e shtetit.
Shfrytëzimi i procesit të zgjedhjes së Presidentit për të bllokuar kompletimin e institucioneve, me qëllim krijimin e rrëmujës dhe rrëzimin e Kryeministrit legjitim, është një veprim anti-shtetëror. Ky veprim i dëmshëm dhe i rrezikshëm i shërben vetëm armiqve të Kosovës, në krye me shtetin serb, të udhëhequr nga një regjim autokratik, shovinist dhe hegjemonist.
Ky regjim, i udhëhequr nga Aleksandër Vuçiq, ka investuar miliarda dollarë në Kosovë, Shqipëri dhe në territoret shqiptare, si dhe në lobim në shtetet perëndimore, veçanërisht në SHBA, me qëllim destabilizimin e Kosovës deri në një pikë ku do të justifikohej ndërhyrja e jashtme. Kosova mbetet e rrethuar me baza përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa propaganda serbe për paaftësinë e shqiptarëve për të ndërtuar shtet vazhdon pandërprerë.
Për këtë arsye, krerët e partive opozitare dhe deputetët e tyre duhet të lënë mënjanë inatet, xhelozitë, interesat personale e partiake, si dhe ndikimet e dëmshme të lobistëve pro-serbë dhe mediave të njëanshme. Ata duhet të votojnë Presidentin dhe të shmangin zgjedhjet e reja të panevojshme”.
Më tej, drejtori i LQSHA-së, theksoi se, zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk ofrojnë zgjidhje dhe se bllokadat e vazhdueshme, vetëm sa do i dëmtojnë më shumë partitë opozitare.
“Zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje dhe mund të shndërrohen në një cikël të pafund dhe të rrezikshëm. Përveç shtetit, humbësit më të mëdhenj do të jenë vetë partitë opozitare. Në asnjë skenar ato nuk mund të dalin fituese. Kryeministri Kurti dhe koalicioni i tij do të mbeten faktor vendimtar në krijimin e institucioneve, pavarësisht përqindjes së votave.
Politika e bllokadave dhe sabotimeve nga PDK, LDK dhe AAK u ka sjellë dhe do t’u sjellë humbje të vazhdueshme, gjithnjë e më të mëdha dhe më të turpshme. Kjo qasje duhet të ndryshojë për të mirën e tyre dhe të shtetit.
Ato duhet të kuptojnë se pushteti fitohet duke punuar mirë, jo përmes shpifjeve, sharjeve, bllokadave dhe pengesave. Qëndrimet dhe propozimet e tyre duhet të jenë reale, konkrete, më të forta dhe më parimore se ato të pozitës, duke filluar nga çështjete brëndshme e deri te kundërshtimi i asociacionit dhe lëshimeve ndaj Serbisë, ndryshimi i simboleve shtetërore dhe bashkimi kombëtar”, shpjegoi Aliçkaj.
Në fund, veprimtari shtoi se, Kurti nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm se të proopozojë për Presidente një figure jo partiake dhe profesionale.
Ai nuk hodhi poshtë mundësinë, që kandidati të jetë edhe nga diaspora.
“Populli i Kosovës nuk do të lejojë që vendi të rikthehet nën ndikimin apo kontrollin e Listës Serbe si pjesë e një koalicioni qeverisës, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Kryeministrit Kurti nuk i ka mbetë tjetër veçse, në momentin e fundit, të propozojë për Presidente një figurë, mundësisht femër, jopartiake, të aftë dhe profesionale, me njohuri të gjuhëve të huaja dhe me përvojë në komunikim ndërkombëtar, e cila gëzon mbështetje të gjerë popullore. Kosova ka mjaft kuadro të cilësisë së lartë, brenda dhe jashtë vendit.
Nëse deputetët e opozitës largohen nga salla dhe nuk e votojnë kandidaten e propozuar, ndëshkimi nga populli do të jetë i shpejtë dhe i ashpër. Kosova ka nevojë për forca të reja politike konstruktive, që e kuptojnë rëndësinë e zhvillimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
