Lajme

Zyba flet për ofertën e deputetit të PDK-së për koalicion me VV-në

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka komentuar deklaratën e sotme të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, i cili, përmes një postimi të gjatë në Facebook, bëri thirrje për një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke kërkuar nga drejtuesit e dy subjekteve politike që të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Zyba, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka deklaruar se deklarata të tilla duhet të jenë qëndrime të subjektit të cilit i takon Mustafa dhe jo vetëm qëndrime individuale.

Ai ka shtuar se PDK-ja e ka pasur mundësinë për bashkëpunim me LVV-në, por nuk e ka pranuar.

“këto mbeten jo vetëm diskutimet, por edhe rezultatet dhe më pas edhe përmes rezultateve duhet të ketë produkt nga subjekti dhe jo qëndrime politike që janë pompoze dhe në fakt e kanë zero efektin, përveçse mediatik, përveçse lajm momental, ndoshta as ditor jo, se më pas zbehen edhe gjatë ditës. Mirëpo, këto qëndrime duhet të vijnë nga subjekti. Subjekti i tij e ka pasur mundësinë, edhe pse ai nuk ka qenë mandatin e kaluar deputet, por ka mundur të qëndrojë në sallë dhe të ketë qëndrim dhe zotim se a do të jetë në sallë për të zgjedhur presidentin, pavarësisht se a ka kandidat subjekti i tij apo jo”, ka deklaruar Zyba.

Sipas tij, edhe pse Mustafa ka dalluar gjithmonë në deklarime nga subjekti i tij, këto deklarata duhet të mos mbesin vetëm qëndrime individuale për konsum ditor.

“Në fakt, qëndrimi i PDK-së është që dëshiron të qëndrojë në opozitë. Pikërisht kundërthënia në mes të një deputeti, pavarësisht a vjen nga Llapi apo nga Drenica, dallon. Të paktën Mustafa, në deklarime, ka dalluar gjithmonë prej se njihet. Sidomos nga lëvizjet që i ka pasur si tërheqje nga subjekti i tij, me përgjegjësi më të larta, ka pasur qëndrime të tilla, ka pasur lëvdata për Kurtin edhe për të tjerë, por ja që këto deklarata duhet të përkthehen nëse janë efekte edhe partiake e jo qëndrime individuale sa për konsum ditor”, ka përfunduar Zyba.

Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke kërkuar nga drejtuesit e dy subjekteve politike që të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Mustafa ka thënë se PDK-ja dhe LVV-ja, siç i ka cilësuar ai, dy forcat më të mëdha politike aktuale në vend, duhet t’i lënë mënjanë përplasjet e së kaluarës dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët në interes të vendit.

Ai u ka bërë thirrje drejtpërdrejt kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të takohen dhe të diskutojnë për një marrëveshje politike.

“Sot kemi nevojë për një koalicion po aq të madh. Tani para nesh kemi dy forcat më të mëdha politike: Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës. E di që mes nesh janë thënë fjalë të ashpra. E di që ka mosbesim. E di që zemrat janë djegur nga retorika e luftës politike. Por më lejoni t’ju them jotokësisht diçka: Kosova nuk është pronë e asnjë partie. Kosova është shtëpia e të gjithëve.Unë nuk po ju kërkoj të harroni të kaluarën. Unë po ju kërkoj të mos lejoni që e kaluara t’ju mbajë peng të ardhmes. Ne nuk kemi kohë për inate, nuk kemi kohë për hakmarrje dhe as për “nëse” apo “por”. Sepse jashtë kufijve, qytetarët tanë nuk i pyesin nëse janë me PDK-në apo me LVV-në; ata thjesht thonë se janë nga Kosova.Të nderuar kryetarë të PDK-së dhe të LVV-së, ju ftoj të uleni në një tryezë. Jo si kundërshtarë, jo si rivalë, por si burra shteti që kanë për detyrë t’ua lënë fëmijëve tanë një Kosovë më të mirë. Le t’i lëmë mënjanë egot. Le t’i lëmë mënjanë fjalët e ndezura të së kaluarës. Le të flasim për rrugët, për shkollat, për spitalet dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë. Nëse e bëjmë këtë, historia do të na kujtojë — jo për fjalimet apo grindjet tona, por për punët dhe urat që ndërtuam.Kosova nuk ka më kohë për të pritur”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka marrë si shembull koalicionin PDK-LDK, duke argumentuar se marrëveshjet ndërmjet forcave të mëdha politike mund të sjellin rezultate të rëndësishme për Kosovën.

Sipas tij, koalicionet e mëdha nuk duhet të shihen si luks politik, por si një domosdoshmëri shtetërore./teve1.info/

Deputeti i PDK-së apelon për koalicion me LVV-në: Kosova s’ka më kohë për të pritur 

Të Ngjashme