Chelsea ka zyrtarizuar një marrëveshje të rëndësishme strategjike me Roc Nation Sports International, kompani menaxhimi sportive e themeluar nga reperi i njohur amerikan Jay-Z.
Edhe pse emri i Jay-Z ka tërhequr vëmendje të madhe në medie, marrëveshja nuk është direkte me artistin, por me strukturën e tij sportive dhe menaxheriale, e cila tashmë ka një ndikim të madh në botën e futbollit dhe sportit global.
Sipas klubit londinez, ky bashkëpunim synon të rrisë ndjeshëm profilin e Chelsea-t në tregun amerikan, duke e futur klubin më thellë në kulturën pop dhe në mënyrën e re të konsumimit të futbollit nga gjeneratat e reja.
Roc Nation Sports International ka në menaxhim disa nga emrat më të njohur të futbollit botëror, përfshirë Vinícius Júnior, Endrick dhe Gabriel Martinelli, ndërsa bashkëpunon gjithashtu edhe me klube si Como, Burnley dhe Marseille.

Nga ana e Chelsea-t, drejtori i markës së klubit, Scott Fenton, ka theksuar se synimi është të arrihet një audiencë e re në Shtetet e Bashkuara, e cila e sheh futbollin jo vetëm si sport, por si stil jetese.
Ndërkohë, presidenti i Roc Nation Sports International, Michael Yormark, ka deklaruar se qëllimi i tyre është që Chelsea të jetë i pranishëm në momentet dhe platformat që kanë ndikim tek fansat modernë.
Ky bashkëpunim vjen në një moment kur futbolli po rritet ndjeshëm në tregun amerikan, sidomos në prag të Botërorit, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Chelsea, një nga klubet më të njohura dhe më të suksesshme në futbollin anglez, synon që përmes kësaj marrëveshjeje të forcojë më tej imazhin e tij global dhe të zgjerojë ndikimin përtej fushës së lojës.
