Një operacion antidrogë i zhvilluar në Itali ka çuar në sekuestrimin e një sasie të madhe kokaine, e cila dyshohet se po transportohej me kamion për t’u shpërndarë në tregun italian.
Sipas Guardia di Finanza, gjatë kontrollit të mjetit u gjetën mbi 111 kilogramë kokainë, të ndara në 100 pako, si dhe rreth 19 mijë euro para të gatshme.
Në pranga kanë rënë tre persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë dhe një rumun, të dyshuar si drejtues të mjetit dhe korrierë të ngarkesës së drogës.
Lënda narkotike ishte fshehur në kabinën e kamionit, e paketuar në mënyrë profesionale dhe me logo identifikuese “elefant”.
Autoritetet italiane vlerësojnë se, pas përpunimit dhe shpërndarjes në treg, kjo sasi kokaine mund të sillte fitime deri në 20 milionë euro.
Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e ngarkesës dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.
