Profesori i sigurisë dhe kriminalistikës, Prof. Dr. Muhamet Racaj, vlerëson se vrasjet e fundit në Kosovë nuk duhet të trajtohen vetëm si raste të izoluara kriminale, por si një alarm për mekanizmat institucionalë të parandalimit dhe reagimit. Ai thekson se, krahas përgjegjësisë së autorëve, duhet të verifikohet edhe nëse institucionet kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht në rastet kur paraprakisht ka pasur kërcënime, denoncime apo shenja të rrezikut.
Në një prononcim për gazetën Bota Sot, Prof. Dr. Muhamet Racaj, duke folur nga perspektiva e sigurisë publike dhe parandalimit të kriminalitetit, thotë se përgjegjësia për vrasjet duhet të analizohet në mënyrë më të gjerë, duke përfshirë edhe funksionimin e institucioneve që kanë mandat ligjor për të parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur viktimat potenciale.
Ai nënvizon se përgjegjësia e parë dhe e drejtpërdrejtë për një vrasje i takon autorit të veprës penale, i cili duhet të përballet me drejtësinë, por në rastet kur ekzistojnë paralajmërime të mëhershme për rrezik, duhet të shqyrtohet edhe reagimi institucional.
“Përgjegjësia e parë dhe e drejtpërdrejtë për vrasjen i takon autorit të veprës penale, i cili duhet të përballet me drejtësinë. Megjithatë, kur në raste të tilla paraprakisht kanë ekzistuar kërcënime, dhunë, denoncime apo shenja të rrezikut, atëherë duhet të shqyrtohet edhe përgjegjësia e institucioneve që kanë pasur detyrim ligjor dhe profesional të ndërhyjnë”, deklaron Racaj.

Prof. Dr. Muhamet Racaj
Sipas tij, në raste të tilla duhet të analizohen veprimet e Policisë së Kosovës, Prokurorisë, gjykatave, Qendrave për Punë Sociale dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për trajtimin dhe parandalimin e dhunës.
“Duhet të verifikohet nëse denoncimet janë trajtuar me seriozitet, nëse vlerësimi i rrezikut është bërë në kohë dhe nëse janë ndërmarrë masat mbrojtëse të nevojshme”, thekson profesori.
Racaj konsideron se parandalimi i vrasjeve nuk mund të fillojë vetëm pas kryerjes së krimit, por duhet të ndërtohet përmes identifikimit të hershëm të rrezikut dhe reagimit të koordinuar të institucioneve.
“Si profesor i sigurisë dhe i kriminalistikës, konsideroj se parandalimi i vrasjeve nuk fillon në momentin kur ndodh krimi, por shumë më herët, përmes identifikimit të hershëm të rrezikut, reagimit institucional dhe bashkëpunimit ndërmjet mekanizmave përgjegjës”, shprehet ai.Duke komentuar kërkesat për përgjegjësi institucionale pas rasteve të rënda të vrasjeve, profesori vlerëson se nuk duhet të shpallen fajtorë zyrtarët apo të kërkohen dorëheqje pa një proces të mirëfilltë hetimor.
Ai thotë se përgjegjësia duhet të përcaktohet përmes një hetimi profesional, të pavarur dhe transparent, i cili do të sqarojë nëse ka pasur neglizhencë, mosveprim apo shkelje të detyrave zyrtare.
“Nuk duhet të kërkohet dorëheqje apo të shpallet fajësia e zyrtarëve vetëm mbi bazën e presionit publik. Përgjegjësia duhet të përcaktohet përmes një hetimi profesional, të pavarur dhe transparent, duke identifikuar nëse ka pasur neglizhencë, mosveprim apo shkelje të detyrave zyrtare”, deklaron Racaj.
Ai thekson se qytetarët duhet të kenë informacione të qarta se ku mund të kërkojnë ndihmë në rast rreziku, ndërsa institucionet duhet të garantojnë trajtim serioz të çdo denoncimi dhe mbrojtje për viktimat potenciale.
“Qytetarët duhet ta dinë qartë se ku të drejtohen në rast rreziku: në Policinë e Kosovës, përmes numrit 192 ose numrit emergjent 112, në Prokurori dhe në Qendrat për Punë Sociale, varësisht nga natyra e kërcënimit. Institucionet, nga ana tjetër, duhet të garantojnë se çdo denoncim trajtohet me seriozitet dhe se viktimat potenciale nuk mbeten pa mbrojtje”, thekson profesori.
Në fund, Racaj thotë se siguria publike nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes pranisë së policisë, por mbi të gjitha përmes aftësisë së institucioneve për të parandaluar krimet para se ato të ndodhin.
Sipas tij, reagimi pas tragjedive nuk mjafton, nëse institucionet nuk arrijnë të identifikojnë dhe trajtojnë rreziqet në kohë.
“Siguria e qytetarëve nuk matet vetëm me numrin e policëve në terren, por mbi të gjitha me aftësinë e institucioneve për ta parandaluar krimin para se të ndodhë. Shteti duhet të veprojë në mënyrë parandaluese dhe jo vetëm të reagojë pas tragjedive”, deklaron Racaj.
Ai përfundon se përgjegjësia institucionale, zbatimi i ligjit dhe koordinimi ndërmjet mekanizmave të sigurisë janë thelbësore për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe garantimin e një ambienti më të sigurt.
“Vetëm përmes përgjegjësisë institucionale, zbatimit të ligjit dhe koordinimit të mekanizmave të sigurisë mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe të garantohet një ambient më i sigurt për të gjithë”, përfundon Prof. Dr. Muhamet Racaj.
