Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, i cili u ka bërë thirrje të rinjve që dëshirojnë t’i bashkohen Policisë së Shtetit dhe të zgjedhin një profesion në shërbim të sigurisë së vendit, që të aplikojnë.
“Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e ministrit.
Aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026, ku të interesuarit që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë për të nisur procesin e konkurrimit për një vend pune në Policinë e Shtetit.
“Shqipëria ka nevojë për njerëz që zgjedhin të shërbejnë me uniformë, për rend e siguri si parakusht i zhvillimit. Bëhuni pjesë e Policisë së Shtetit dhe e misionit për një Shqipëri më të sigurt”, ka shkruar më tej Lamallari.
Ndërkohë vetë Policia e Shtetit, përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare ka ndarë më shumë informacion për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët e interesuar.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Hapen aplikimet për pranim në Policinë e Shtetit, për 300 funksione për “Patrullë e Përgjithshme”.
Mbështetur në pikën 1, pikën 2 shkronja “c”, dhe “l” e nenit 55, nenet 69, 70 dhe 71, të Ligjit Nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, nenet 70, 85, 86 dhe 88, të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr.112, datë 24.02.2025, në VKM nr.881, datë 28.10.2020, “Për statusin e veçantë të Akademisë së Sigurisë, si institucion i vetëm i arsimit të Lartë në fushën e Rendit e të Sigurisë Publike, si dhe organizimin e funksionimin e saj”, i ndryshuar, në Urdhërin nr.129, datë 01.08.2025, të Ministrit të Brendshëm, “Për përcaktimin e moshës për kategoritë e pranimit në rolet policore”, në Udhëzimin nr.18, datë 04.02.2026, “Për miratimin e rregullave, procedurave dhe kritereve për pranimin në rolin zbatues në Policinë e Shtetit”, të Ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe në Procedurën standarde “Për zhvillimin e fazave të vlerësimit dhe testimit për pranimin në rolin zbatues dhe rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit”, të miratuar me urdhër nr. 609, datë 16.04.2026, të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike të rolit zbatues, në strukturat e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës;
URDHËROJ:
Hapjen e fazës së aplikimeve për pranimin e shtetasve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, në rolin zbatues të Policisë së Shtetit, për 300 funksione të lira.
Çdo shtetas i cili plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku ai ka vendbanimin e përhershëm. Aplikimet janë të hapura në periudhën 17. 08.2026 deri më 18.09.2026.
Të jetë shtetas shqiptar;
Të jetë në moshën deri 30 vjeç;
Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
të ketë mbaruar arsimin e mesëm të lartë;
të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.
Shtetasit qe shprehin dëshirën për tu pranuar në rolin zbatues në Policinë e Shtetit, përkundrejt tarifës se aplikimit, jo me vone se data 09.2026, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:
Formularin e aplikimit për pranim në Policinë e Shtetit;
Formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e policisë;
Formularin e dekriminalizimit
Fotokopje të kartës së identitetit;
Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm të lartë, me listë notash të noterizuar;
Fotokopje të lejes së drejtimit të automjetit, kategoria “B”;
Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
Certifikatë familjare;
Vërtetim nga gjykata;
Vërtetim nga prokuroria;
Vërtetim nga Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
Raport mjekoligjor; (formular model tip)
Mandat pagesa e tarifës së aplikimit;
Strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë, administrojnë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikantët dhe e protokollojnë atë në sekretarinë e strukturës përkatëse. Çdo aplikanti i jepet vërtetim model tip bashkëlidhje e këtij urdhri, i cili vërteton dorëzimin e aplikimit.
Strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë bëjnë shqyrtimin e dokumentacionit të aplikantit jo me vonë se 5 (pesë) dite pune nga data e dorëzimit të aplikimit. Verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit ka të beje me plotësimin e kritereve nga aplikantët, dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar në momentin e aplikimit si dhe plotësimin e formularëve në mënyrën e duhur.
Nëse gjate shqyrtimit të dokumentacionit, rezulton së aplikanti nuk ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm, struktura përgjegjëse e burimeve njerëzore kthen dosjen për plotësim, jo më vonë se 2 ditë, brenda afatit të aplikimit. Aplikanti që nuk plotëson kriteret e përcaktuara, apo ka mungese dokumentacioni, s’kualifikohet nga procesi i konkurrimit dhe njoftohet nga Drejtoria Vendore e Policisë, nëpërmjet e-mailit të evidentuar nga ana e tij në formularin e aplikimit, në lidhje me skualifikimin dhe arsyet e tij.
Drejtoritë Vendore të Policisë të dërgojnë në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, brenda datës 22.09.2026, listën me të dhënat e aplikantëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, për vazhdimin e fazave të tjera të konkurrimit, në rrugë shkresore dhe elektronike në adresën e e-mail-it [email protected] dhe [email protected], sipas modelit bashkëlidhur këtij urdhëri.
Drejtoria e Burimeve Njerëzore pasi bën verifikimet përkatëse, listën e aplikantëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara ja paraqet brenda datës 26.09.2026, Komisionit të Pranimit, i cili shqyrton të dhënat e administruara për aplikantët dhe merr vendim për vazhdimin e fazave të konkurrimit.
Komisioni i Pranimit përbëhet nga:
a) Drejtues i Parë Mitat Tola Kryetar
b) Drejtues Agron Çeli Anëtar
c) Znj. Enkela Prifti Anëtar
Komisioni i Pranimit asistohet nga Sekretaria Teknike e përbërë nga Specialist, në Sektorin e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore.
Fazat e testimit për pranimin në rolin zbatues të Policisë së Shtetit përfshin:
Kontrolli shëndetësor i aplikantëve;
Testimi i aftësive fizike;
Testimi me shkrim;
Intervista me gojë;
Testimi psikologjik.
Komponentët e vlerësimit dhe pesha në përqindje e vlerësimit për cdo fazë testimi është si më poshtë vijon:
Testimi me shkrim: 50% e vlerësimit të përgjithshëm;
Testimi i aftësive fizike: 30% e vlerësimit të përgjithsëm;
Intervista me gojë: 20 % e vlerësimit të përgjithshëm;
Testimi psikologjik: kalues / jo kalues.
Aplikantët kalojnë në fazën pasuese vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses secilën fazë, sipas rendit të përcaktuar në pikën 11 të këtij urdhri.
Për çdo fazë hartohet urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku përcaktohet komisioni i vlerësimit, data, vendi i zhvillimit, procedurat e testimit dhe kontrollit, si dhe ankimimi.
Aplikanti s’kualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo faze të tij nëse:
nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar;
nuk dorëzon në kohen e aplikimit dokumentacionin e kërkuar;
nuk plotëson kriteret e përcaktuara në piken 2 të këtij urdhri;
ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara;
është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
rezulton përdorues i lëndëve narkotike;
rezulton të ketë varësi nga alkooli;
nuk kalon kontrollin shëndetësor sipas standardeve mjekësore në fuqi;
nuk plotëson kriteret e besueshmërisë dhe integritetit;
nuk paraqitet në kohë dhe vendin e përcaktuar për cilëndo nga fazat e testimit;
nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të testimit;
ndërpret testimin ose përjashtohet prej tij për shkak të shkeljeve proceduriale, përfshirë kopjimi, komunikimi me konkurrentët e tjerë, ndërrimi i variantit të testit, përdorimin e pajisjeve elektronike si dhe makina llogaritëse, etj.
Kandidatët që përfundojnë me sukses fazat e testimeve, i nënshtrohen verifikimit të besueshmërisë dhe rregullave për marrjen e gjurmëve të gishtave.
Drejtoria e Burimeve Njerëzore dërgon listën e aplikantëve që janë kualifikuar në të gjitha fazat e testimeve , pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin, me qëllim kryerjen e verifikimit të besueshmëris dhe marrjes së gjurmëve të gishtave.
Strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë, listën e aplikantëve e dërgojnë pranë Komisariateve Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin, të cilët hartojnë vërtetimin e besueshmërisë si dhe pranë Sektorëve të Policisë Shkencore në DVP, të cilët marrin dhe administrojnë për krahasim gjurmët daktiloskopike të aplikantëve.
Verifikimi i besueshmërisë së aplikantëve është një proces i verifikimit të të dhënave të vetëdeklaruara nga aplikantët, në raport me ato të regjistrave fizikë dhe elektronikë të administruara nga Policia e Shtetit, si dhe Institucionet e tjera shtetërore shqiptare apo të huaja. Verifikimi i besueshmërisë bëhet sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në Procedurën Standarde “Rastet, modalitetet dhe strukturat që hartojnë vërtetimin e besueshmërisë”, të miratuara me urdhër nr. 923 datë 23.06.2025, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në përfundim të kryerjes së verifikimit të besueshmërisë, strukturat e burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, administrojnë vërtetimin e besueshmërisë në dosjen e aplikimit të kandidatëve dhe dërgon informacion me shkrim nëse kandidati i plotëson apo jo kriteret e besueshmërisë, pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.
Sektorët e Policisë Shkencore pranë DVP-ve, pas kryerjes së procedurave për marrjen e gjurmëve daktiloskopike të aplikantëve, i dërgojnë ato për krahasim pranë Institutit të Policisë Shkencore. Marrja e gjurmëve daktiloskopike, bëhet sipas procedurave standarde, të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Instituti i Policisë Shkencore bën krahasimin e gjurmëve daktiloskopike dhe dërgon informacion nominal me shkrim për secilin aplikant pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.
Aplikantët që pas krahasimit të gjurmëve daktiloskopike rezultojnë me problem në sistemin “Afis/Apis Papilon 9”, i nënshtrohen procedurave të mëtejshme të verifikimit dhe kontrollit nga strukturat e hetimit të krimeve ku janë evidentuar gjurmët apo aplikanti ka vendbanimin e tij.
Në përfundim të procesit të verifikimit të besueshmërisë dhe marrjes së gjurmëve të gishtave, Komisioni i Pranimit merr vendim për shpalljen e rezultateve në rend zbritës të aplikantëve që i janë nënshtruar fazave të konkurrimit dhe plotësojnë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit, si dhe s’kualifikimin e kandidatëve që nuk plotësojnë këto kritere.
Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo faze të procesit të konkurrimit, duke përfshirë dhe aplikimin.
Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit në adresën [email protected], brenda 2 ditësh nga data e njoftimit për rezultatin e testimit apo s’kualifikimit nga procesi. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave merr vendim me shumicë të thjeshtë votash. Aplikantët njoftohen me e-mail mbi vendimin e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, brenda 5 ditë pune nga data e marrjes së vendimit. Çdo njoftim me e-mail në rastet e kualifikimeve, skualifikimeve apo vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, behet pjese e dosjes së procesit të pranimit të krijuar nga strukturat e Burimeve Njerëzore.
Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ngrihet në nivel vendor pranë strukturës ku kryhet aplikimi si dhe në nivel qendror pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
a) në nivel vendor, Komisioni përbëhet nga:
Zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike Kryetarë
Shefi i Sektorit të Burimeve Njerëzore Anëtar
Përfaqësuesi Juridik DVP-se Anëtar
b) Në nivel qendror, Komisioni përbëhet nga:
Drejtues i Lartë Sokol Bizhga Kryetar
Drejtues Sabri Jacaj Anëtar
Drejtues Anisa Duçkollari Anëtar
Komisionet asistohen nga Sekretaria Teknike e përbërë nga specialist të Burimeve Njerëzore.
Komisionet e Shqyrtimit të Ankesave pranë Drejtorive Vendore të Policisë, shqyrtojnë ankesat e aplikantëve për fazën e aplikimeve dhe verifikimit e shqyrtimit të dokumentacionit, ndërsa të gjitha ankesat për fazat e tjera të procesit të konkurrimit për pranimin në rolin zbatues në Policinë e Shtetit, shqyrtohen nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në përfundim të procesit të ankimimit, Komisioni i Pranimit merr vendim për shpalljen e aplikantëve fitues. Shpallen fitues vetëm aplikantët e renditur në listën e rezultateve në rend zbritës, brenda kuotave të shpallura për konkurrim.
Bazuar në Vendimin e Komisionit të Pranimit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore përgatit draft urdhrin për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vazhdimin e trajnimit të aplikantëve fitues pranë Kolegjit të Formimit Profesional Policore, në Akademinë e Sigurisë.
Procesi i pranimit në Policinë e Shtetit menaxhohet dhe koordinohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Akademia e Sigurisë.
Aplikantët e shpallur fitues, do të ndjekin formimin bazë në Kolegjin Profesional të Formimit Policor. Në momentin e pranimit, aplikanti i shpallur fitues, nënshkruan kontratën me titullarin e Akademisë së Sigurisë. Në kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet gjatë shkollimit, si dhe koha e qëndrimit në detyrë në strukturat policore, pas përfundimit të Akademisë së Sigurisë.
Monitorimi i procesit të pranimit në rolin zbatues në Policinë e Shtetit të kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Sektori i Komunikimit me Median dhe Publikun, të bëjë publikimin në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit e aksesueshme nga çdo shtetas, si dhe në median e shkruar e atë vizive të këtij urdhri, formularin e aplikimit, formularin e vetëdeklarimit, formularin e dekriminalizimit si dhe skedën mjeksore.
Departamenti për Shërbimet Mbështetëse të marrë masa për të siguruar bazën materiale të nevojshme, për zhvillimin e procesit të konkurrimit për pranimin në Policinë e Shtetit, si dhe për hapjen e një numri llogarie për kryerjen e pagesës së tarifës së aplikimit.
Drejtoria e Burimeve Njerëzore në bashkëpunim me Sektorin e Protokollit dhe Ceremonive të bëjë njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si dhe misioneve policore qe asistojnë Policinë e Shtetit si EU4LEA dhe Programi ICITAP për hapjen e procesit të konkurrimit për pranimin në rolin zbatues në Policinë e Shtetit.
Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri Departamenti për Sigurinë Publike, Departamenti për Shërbimet Mbështetëse, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Akademia e Sigurisë, Drejtoria e Standardeve Profesionale, Drejtoria Juridike, Sektori i Komunikimit me Median dhe Publikun, Sektori i Protokollit dhe Ceremonive dhe Drejtoritë Vendore të Policisë.
Me këtë urdhër të njihen gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Për kontrollin e zbatimit të këtij urdhri, ngarkohet Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
DREJTORI I PËRGJITHSHËM
Drejtues Madhor Skender HITA
Urdher per hapjen e fazes se aplikimeve per Kolegjin Profesional
Dokumentet e nevojshme për plotësim:
FORMULARI I APLIKIMIT PER PRANIM NE POLICI
SKEDA MJEKESORE
FORMULAR DEKRIMINALIZIMI
FORMULAR VETËDEKLARIMI
