Lajme

​“Veprim i dobët dhe papjekuri politike”, shefja e deputetëve të LDK-së e ashpër me PDK-në

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka cilësuar veprim të dobët dhe papjekuri politike kthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend. Ajo ka kërkuar hartimin e një strategjie kombëtare për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka paralajmëruar se LDK-ja do t’i përdorë të gjithë mekanizmat opozitarë ndaj Qeverisë Kurti, pa përjashtuar edhe protestat.

Lushaku-Sadriu, në intervistën për emisionin “Intervista e javës” në kp, ka kritikuar PDK-në për kërkesën ndaj presidentes Justina Shiroka-Pula që ligji për Dhomat e Specializuara të kthehet në Kuvend, duke vlerësuar se një veprim i tillë tregon mungesë të qëndrueshmërisë në vendimmarrje politike.

Sipas saj, një ligj që procedohet në Kuvend duhet të mbështetet në një vlerësim të kujdesshëm politik dhe juridik, ndërsa kthimi i tij në fazën fillestare, pasi është miratuar në dy lexime, nënkupton rihapjen e diskutimit për secilin nen.

“Veprim i dobët dhe papjekuri politike”, shefja e deputetëve të LDK-së e ashpër me PDK-në

“Unë e shoh si veprim të dobët të vetë PDK-së, për shkak se kur e procedon një ligj, ti beson në të dhe beson që është rruga e duhur edhe është ligji i duhur. Pastaj të kthehet pas disa ditësh, kur ligji ka arritur në stadet e fundit, të kthehet në fazën fillestare, ligji do të hapet i tëri dhe do të diskutohet për secilin nen aty, e ke kthyer ligjin në fazën fillestare, kjo tregon për një papjekuri politike. Aq më tepër kur e marrim parasysh ndikimin që e ka pasur, duke e ndërlidhur edhe me protestat, edhe me çështjet e sigurisë të cilat janë ngritur pastaj edhe atmosferën në të cilën është manifestuar në ato ditë. Unë e kuptoj edhe ndjeshmërinë për procesin e Hagës dhe ndjeshmërinë që kanë qytetarët, por janë partitë politike ato që duhet të gjykojnë në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të lartë për të mbrojtur shtetin dhe për të ndihmuar proceset për të cilat jemi duke folur. Por, këtu kërkohet seriozitet dhe një matje e madhe edhe e pulsit publik, menaxhim i njerëzve, dhe ndjenjave që kanë manifestuar ata”, tha ajo.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se partia e saj vlerëson se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së duhet të mbështetet kryesisht në mekanizmat juridikë, përfshirë procedurat e apelit.

Mirëpo, Lushaku-Sadriu ka shprehur shqetësimin se ndërhyrjet ligjore përmes një ligji të thjeshtë mund të prodhojnë pasoja afatgjata për vendin. Sipas saj, Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare dhe ka bërë ndryshime kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara, andaj çdo veprim në këtë drejtim duhet të vlerësohet me kujdes.

Rikthimi i ligjit në Kuvend, ky është qëndrimi i LDK-së

“Ne kemi besuar që rruga e duhur për ta mbrojtur luftën çlirimtare, por edhe për rastet e fundit në Hagë është niveli i apelit, duhet mjetet gjyqësore, mjetet juridike të përdoren me qëllim që të ofrohen fakte sa më shumë edhe që të ketë pastaj rezultat në lartësinë e dënimit. Ky është mendimi ynë për aq kohë sa ne kemi thënë që duhet shteti t’i ofrojë mbështetje institucionale ish-krerëve të UÇK-së, gjithsesi ligji mund ta dëmtojë Kosovën në afatgjatë. Për shkak se, mos harroni që Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare, me marrëveshje ndërkombëtare dhe Kosova vetë ka bërë ndryshime kushtetuese për t’i themeluar Dhomat e Specializuara. E vetëm procedimi me një ligj të thjeshtë, kështu siç është bërë nga iniciuesi, edhe nga përkrahja e Kuvendit, kemi parashikuar edhe i kemi adresuar atë ditë edhe në fjalim se mund të sjellë pasoja për Kosovën, për çka absolutisht nuk është dëshira jonë dhe mendoj që ne, para së gjithash, duhet të përkujdesemi ta ruajmë Kosovën, shtetin tonë, parimet tona demokratike dhe të mos bëjmë veprime të ngutshme që mund ta lëkundin pozitën tonë”, deklaroi ajo.

Në anën tjetër, Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur se LDK-ja ende nuk ka marrë ftesë zyrtare për takimin e grupit punues që pritet të merret me hartimin e strategjisë për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Ajo ka thënë se, ndonëse përfaqësuesit e subjekteve politike janë emëruar, deri tani nuk ka thirrje zyrtare për fillimin e punës dhe as konstituim të grupit.

Lushaku-Sadriu ka vlerësuar se një strategji e tillë do të mundësonte koordinim më të mirë institucional, kontribut në pasurimin e fakteve për proceset e apelit dhe menaxhim më të mirë të imazhit të Kosovës, varësisht nga vendimet që mund të merren në Hagë.

Kur do të takohet grupi punues për hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së?

“Në fakt, ende nuk kemi marrë një ftesë zyrtare. Përkundër faktit që ne po mendojmë që afatet edhe kemi bërë thirrje gjithmonë që energjinë tonë si subjekte politike ta shpenzojmë duke investuar në një strategji të tillë kombëtare e jo vetëm në një ligj. Tash po e shohim që nuk ka nga ana e qeverisë nuk ka një thirrje, nuk ka një konstituim të grupit përkundër faktit që i kemi emëruar përfaqësuesit e subjekteve politike. Pres që në ditët në vijim që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë puna… Strategjia është dashur të jetë punë e kryer deri tash. Sjellja në situatë të tillë, domethënë pa strategji, kërkon një konstituim të shpejtë, edhe një punë më intensive për t’i ndihmuar proceset që varen edhe prej kësaj strategjie. Shteti ynë duhet të del sa më mirë në çdo lloj vendimi, i cili mund të merret atje. Se mund të ndikojmë në kuptimin e menaxhimit të imazhit të Kosovës për çfarëdo vendimi që mund të merret në Hagë, po në anën tjetër mund të kontribuojmë edhe në pasurimin e fakteve për procesin e apelit. Edhe kjo është diçka që mund t’i shkojë në dobi krejt procesit për të dalë e vërteta dhe drejtësia. Po, absolutisht, ne kemi thënë se jemi për një strategji dhe një mbështetje institucionale për këtë proces”, tha Lushaku-Sadriu.

Duke folur për zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se LDK-ja është de-faktorizuar politikisht pasi nuk u zgjodh president Bekim Sejdiu, kandidati i propozuar nga partia e Lumir Abdixhikut.

Sa u përket pritjeve nga presidentja Shiroka-Pula, ajo ka theksuar se ajo duhet t’i respektojë kompetencat dhe obligimet kushtetuese, të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe të mbajë qëndrim të pavarur nga partitë politike.

“LDK-ja u de-faktorizua”, Lushaku tregon pritjet për presidenten Shiroka-Pula

“LDK-ja u de-faktorizua, sepse presidenti ose presidentja e tanishme u zgjodh pa votat e LDK-së. Kjo ishte faktike përkundër faktit që LDK-ja u tregua e përgjegjshme dhe shkoi në dialog që nga fillimi, dhamë opsionet tona, u munduam të kontribuojmë në një proces për t’i dhënë vendit institucione, domethënë institucione për ta konstituuar arkitekturën institucionale edhe për të mos shkuar në zgjedhje për shkak se ishte kërkesë edhe mbarëqytetare…  Ne presim që ajo t’i respektojë kompetencat e saj kushtetuese, obligimet kushtetuese, të jetë zëri i të gjithë qytetarëve, të synojë unifikim edhe mbajtje të qëndrimeve të pavarura ndaj partive politike, pavarësisht kush e ka përkrahur dhe çfarë qëndrimi kanë mbajtur. Ajo ka obligime shtetërore, ka obligime që udhëheq me disa sektorë tepër të ndjeshëm të Kosovës. Shpresoj shumë që ajo të jetë një figurë unifikuese dhe të mbahet mend për pavarësinë e saj në atë post e t’i jep krenari Kosovës”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Ajo foli edhe për opozitarizmin e LDK-së, duke paralajmëruar se do të përdorin të gjithë mekanizmat në dispozicion për të kërkuar llogaridhënie nga Qeveria Kurti.

Ajo ka përmendur pyetjet parlamentare, interpelancat dhe angazhimin në komisionet parlamentare si instrumente përmes të cilave LDK-ja synon të ushtrojë kontroll dhe të adresojë, sipas saj, gabimet e qeverisë.

Lushaku-Sadriu ka thënë se partia do të vlerësojë edhe reagimin e qeverisë ndaj kritikave të opozitës, duke lënë të hapur mundësinë e përdorimit të formave të tjera të kundërshtimit politik, përfshirë protestat.

“Do t’i përdorim të gjitha mjetet”, LDK nuk përjashton protestat ndaj Qeverisë Kurti

“Opozitëbërjen do ta bëjmë në mënyrë sa më aktive, do të kërkojmë llogaridhënie posaçërisht në komisione parlamentare me pyetje parlamentare, me interpelanca, me të gjitha mjetet të cilat i kemi në dispozicion për me ushtruar opozitën. Ka qindra tema e shumë gabime të cilat i presim nga kjo qeveri sepse e kemi parë praktikën se si qysh ka qeverisur në 60-të e fundit edhe gjatë dy viteve që kishim krizë politike… Ne i përdorim të gjitha mjetet. Edhe votat që tregojnë atë momentum, edhe votat se sa seriozisht i qaset edhe kritikave tona. Nëse ne arrijmë ose nuk shohim asnjë rezultat nga kritikat tona, normalisht që ne do t’i përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion edhe nuk përjashtohet asnjë mjet se opozita këtë detyrë e ka”, përfundoi ajo.

Të Ngjashme