Gropa të shumta, mungesë kanalizimesh dhe një rrugë që sa herë bie shi mbushet me pellgje uji. Kjo është panorama në rrugën “Dora D’Istria”, ku infrastruktura vijon të mbetet e pandryshuar prej më shumë se tre dekadash.
Banorët tregojnë se mungojnë si kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, ashtu edhe trotuaret, ndriçimi dhe asfaltimi. Problematike bëhet veçanërisht situata gjatë reshjeve, kur uji grumbullohet në gropat e rrugës dhe qëndron aty për ditë të tëra, pasi nuk ka një sistem për largimin e tij
Vështirësitë nuk janë vetëm për këmbësorët, por edhe për automjetet që kalojnë në këtë segment. Përballë kësaj situate, banorët i kërkojnë Bashkisë Shkodër një ndërhyrje të plotë infrastrukturore, duke u shprehur se janë të gatshëm të kontribuojnë edhe me hapësira nga oborret e banesave të tyre, nëse kjo do të mundësonte zgjerimin e rrugës.
“Rruga është mizerabël. Nuk ka kanalizime për ujërat e bardha dhe të zeza. Shihni rrugën vetë se si është. Ku kalojmë me fëmijë e me familje, me pensionistë. Shihni gjendjen vetë”, tha një banor.
“Kemi 35 vite që jetojmë këtu, askush nuk ka vënë dorë në këtë rrugë. Kërkojmë të rregullohet rruga, të zgjerohet, të kalojnë makina e zjarrfikëse, të kemi tortuare”, u shpreh një tjetër banor.
Banorët shpresojnë që kërkesa e tyre do të merret në konsideratë dhe rruga “Dora D’Istria” do të përfshihet në planet e investimeve, pas 35 vitesh mungesë të ndërhyrjeve infrastrukturore.
Gazetar: V. Omari
