Tridhjetë e nëntë kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur rrugëtimin e tyre ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook.
Nga 39 kadetët, 10 do të ndjekin studimet ushtarake, ndërsa 29 të tjerë do të vijojnë Kursin Përgatitor për Oficer.
Maqedonci tha se angazhimi i kadetëve në institucionet ushtarake të Shqipërisë është dëshmi e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kjo është një dëshmi e fuqishme e bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh Kosovë–Shqipëri dhe e angazhimit tonë të përbashkët për edukimin, profesionalizimin dhe zhvillimin e gjeneratës së re të oficerëve”, ka shkruar ministri.
Maqedonci u ka uruar sukses kadetëve, duke i porositur që rrugëtimin e tyre ta vazhdojnë me dije, disiplinë, nder dhe dinjitet.
