Figura dhe trashëgimia e veprimtarit Adem Demaçi u rikthyen në qendër të vëmendjes në 90-vjetorin e lindjes së tij. Me një mbledhje solemne, Komuna e Prizrenit e nderoi Demaçin me Çmimin e Lirisë “Remzi Ademaj” (post mortem), ndërsa u promovua edhe libri “Triada Demaçiane” kushtuar jetës, veprës dhe filozofisë së tij.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se Demaçi mbetet një prej figurave më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, duke theksuar se veprimtaria e tij nuk ishte vetëm rezistencë ndaj padrejtësive të jashtme, por edhe thirrje për ndërtimin e një shoqërie të drejtë.
“Kur Kosova është e lirë dhe ka institucionet e veta, amaneti i Demaçit nuk përfundon. Në njëfarë mënyre, ai vetëm sa bëhet më kërkues ndaj nesh. Na obligon të ruajmë lirinë çdo ditë, jo vetëm me ceremonitë, por me drejtësi, barazi dhe respekt ndaj çdo qytetari. Na obligon të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve duke mos e ngatërruar bashkimin e shqiptarëve me përgjegjësinë ndaj të tjerëve. Na obligon të investojmë në arsim, kulturë, shkencë dhe zhvillim ekonomik, sepse një popull i arsimuar dhe ekonomikisht i fuqishëm është më i vështirë për t’u sunduar. Prandaj dhe ndarja e Çmimit të Lirisë ‘Adem Demaçi’, që sot i ndahet Adem Demaçit post mortem, nuk është vetëm një nderim institucional. Është një shprehje e mirënjohjes ndaj një njeriu që i dha lirisë sonë vite nga jeta e tij. Edhe promovimi i librit ‘Triada D’ është një mundësi që krijimtaria e tij të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të lexohet, të studiohet dhe t’u përcillet brezave të rinj”, deklaroi Totaj.
Çmimi i Lirisë “Remzi Ademaj” iu dorëzua familjes së veprimtarit, ndërsa në emër të saj foli i biri, Shqiptari.
Ai falënderoi Komunën e Prizrenit dhe të pranishmit për nderimin e bërë ndaj figurës së babait të tij, duke vlerësuar njëherësh edhe kontributin e Remzi Ademajt.
“Unë nuk e kam njohur personalisht [Remzi Ademaj], por nga të gjitha ato çka kam dëgjuar, çfarë kam lexuar, është një veprimtar i madh i yni i cili me vullnetin e tij të punës, dëshirën dhe përkushtimin që ka pasur, i përgatitur profesionalisht, pastaj se si është organizuar dhe brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ishte komandant. Edhe si duket, njerëzit të cilët bëjnë aq shumë për komunitetin, për kombin, punojnë aq shumë duke sakrifikuar vetveten, duke flijuar, duke mbrojtur vetveten, duke mbrojtur edha të tjerët, si duket ata janë do të thotë një zili nga ana e zotave. Domethënë zotat nuk i duan me pasë shumë njerëzit të cilët angazhohen shumë edhe u afrohen atyre”, tha ai.
Në kuadër të ceremonisë u promovua edhe libri “Triada D”, me autor Besim Baraliun, ndërsa redaktori Arbër Veseli tha se vepra nuk është as biografi klasike, as monografi historike apo ese filozofike, por një studim ndërdisiplinor që e trajton Adem Demaçin përmes etikës së integritetit dhe dimensioneve filozofike, historike e politologjike.
“Triada demaçiane është një studim ndërdisciplinor, filozofik e historik dhe politologjik mbi etikën e integritetit njerëzor, i ndërtuar si një model i veçantë hermeneutik. Por edhe ky përkufizim, sa do i afërt të duket, nuk e shpjegon plotësisht natyrën e librit. Kjo sepse autori nuk shkruan për Demaçin vetëm që ta njohim më mirë, shkruan për të që përmes tij ta kuptojmë më mirë vetveten. Këtu qëndron dallimi ndërmjet një libri që rrëfen një jetë dhe një libri që parashtron përgjigjet e lexuesve, sepse të rrëfesh një jetë.Në të rrëfesh një jetë të një njeriu është diçka tjetër, kurse të provosh ta trajtosh atë si sprovë njerëzore, është të rrezikosh të hapësh një gjyq ndaj lexuesit. Në shumicën e librave kushtuar figurave me ndikim historik, autorët zakonisht ndjekin jetën e personazhit. Por në rastin tonë, autori Baraliu ka ndjekur rrugën e kundërt. Ai niset nga një ide, nga një kategori morale, nga integriteti. Pastaj kërkon në jetën e Adem Demaçit provat që e bëjnë këtë ide të kapshme në praktikë”, tha ai
Sipas Veselit, autori nuk synon vetëm ta paraqesë jetën e Demaçit, por përmes saj të nxisë reflektim mbi përgjegjësinë morale dhe integritetin njerëzor.
Libri përmban një gamë të gjerë analizash, teorish dhe vlerësimesh, ku sipas recensistit të librit, Behxhet Shala cilësohët si një kontribut i rëndësishëm për dokumentimin e trashegimisë së Demaçit.
“Mirëpo Besim i ka hyrë një avanture të cilën përndryshe na ka dashur shumë edhe secili që e lexon do të dëgjojë… Mirëpo e ka lënë një trashëgimi të gjatë dhe të vlefshme për gjeneratat që vijnë. Sepse ne asnjëherë nuk i kemi besuar personalitetet në kohën kur kanë jetuar apo më herët, domethënë… Po duhet të kalojnë disa dekada apo edhe dekada historike që të fillojë pak të kthjellohemi dhe ta kuptojmë personalitetin për kontributin që ka dhënë dhe vlerën e stërfuqishme të cilën e ka lëne
Ajo çfarë konstatohet është se dëshmia e tij është reale, gjithmonë priret nga kjo, mos të teprohet pak, mos të përshkruhet sa duhet, mos të lihet anash ndonjë gjë… element i humbur, ose i personalitetit ose i krijimtarisë së tij, dhe për këtë arsye ne mund të biem nga një… nga një skaj në tjetrin duke u munduar që të bëjmë diçka mirë”, tha ai.
Ai vlerësoi përkushtimin e autorit për ta trajtuar figurën e Demaçit pa rënë në idealizim të tepruar.
Ndërkaq autori i librit, Besim Baraliu, tha se “Triada D” është më shumë sesa një botim përkujtimor, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shpjeguar mekanizmin moral mbi të cilin u ndërtua personaliteti i Adem Demaçit.
“Ky nuk është vetëm një promovim libri. Është një akt kujtese, nderimi dhe përgjegjësie ndaj një njeriu që jetën e tij e shndërroi në simbol të lirisë, dinjitetit dhe integritetit moral… Vlerat që Adem Demaçi i ndërtoi me jetën dhe veprën e tij dhe që frymëzoi breza të tërë veprimtarësh. Kjo është arsyeja pse e trashëgimia demaçiane nuk i përket vetëm Adem Demaçit. Ajo është një model etik që u flet të gjithë brezave për përgjegjësinë, dinjitetin, besnikërinë ndaj idealeve dhe guximin për t’i mbrojtur ato edhe në kohët më të vështira”, tha Baraliu.
Sipas tij, studimi mbështetet mbi tri shtylla – fiksimin, qëndrimin dhe guximin – të cilat, sipas autorit, shpjegojnë jo vetëm karakterin e Demaçit, por edhe trashëgiminë e tij si model etik për brezat e ardhshëm.
