Lajme

Gërvalla dhe Sveçla sot në konferencë për rastin e Arlinda Zekajt, paralajmërohet edhe protestë para Qeverisë

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot një konferencë të përbashkët për media lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Konferenca është paralajmëruar të mbahet në orën 09:00, në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, para objektit të Qeverisë, pritet të zhvillohet një protestë kundër vrasjes së grave, transmeton “Bota sot”.

Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit njoftoi se ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e Zekajt.

Sipas njoftimit, këto raporte do të shqyrtohen dhe analizohen në detaje, me qëllim identifikimin e lëshimeve të mundshme, neglizhencës, mosreagimit dhe përgjegjësisë institucionale në trajtimin e rastit.

“Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria ka bërë të ditur se konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës do të përqendrohet pikërisht në këto raporte dhe veprimet e mëtejshme institucionale.

Ndërkohë, protesta e paralajmëruar para Qeverisë vjen pas reagimeve të shumta që ka shkaktuar vrasja e Arlinda Zekajt, si dhe kërkesave për llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.

Vrasja e saj ka nxitur protesta gjatë ditëve të fundit, ku është kërkuar hetimi i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit të viktimës.

Të Ngjashme