Shëndetësi

A bën mirë të flesh më gjatë në fundjavë? Po, por me një kufi kohor

Të flesh disa orë më shumë gjatë fundjavës për të kompensuar mungesën e gjumit është e dobishme për zemrën, por duhet të vendosni një kufi. Studiuesit kanë përcaktuar edhe një formulë matematikore: 1 orë e 27 minuta gjumë shtesë ul me 9% rrezikun e hipertensionit.

Kush nuk ka ndier ndonjëherë pak faj kur qëndron më gjatë nën batanije të dielën në mëngjes? Deri tani, mjekët rekomandonin që të flinim dhe të zgjoheshim gjithmonë në të njëjtën orë, edhe gjatë fundjavës, pasi ndërprerja e rutinës mund të çrregullonte orën biologjike.

Megjithatë, një studim i ri shkencor, i prezantuar gjatë kongresit të European Society of Cardiology, propozon një përjashtim nga ky rregull.

Më shumë gjumë, më pak hipertension

Studimi, i kryer tek më shumë se 40 mijë të rritur nga Universiteti i Koresë në Seul, nën drejtimin e profesoreshës Nawon Lee, analizoi ndikimin e “gjumit rikuperues” gjatë fundjavës për një periudhë shtatëvjeçare.

Rezultatet tregojnë se kompensimi i mungesës së gjumit gjatë ditëve të pushimit ul mesatarisht me 6% mundësinë e zhvillimit të hipertensionit arterial. Tensioni i lartë i gjakut prek më shumë se 1.3 miliardë njerëz në mbarë botën dhe është një nga shkaqet kryesore të infarktit, goditjes në tru dhe sëmundjeve të veshkave.

“Efekti mbrojtës” është shfaqur edhe më i rëndësishëm tek njerëzit që bëjnë një jetë kryesisht sedentare. Për personat fizikisht joaktivë, disa orë gjumë shtesë gjatë fundjavës e ulin rrezikun e hipertensionit me 6.9%.

Formula: 1 orë e 27 minuta

Por sa më shumë mund të flemë? Studimi ka përcaktuar një prag mjaft të qartë. Sasia ideale për të mbrojtur sistemin kardiovaskular është 1 orë e 27 minuta gjumë shtesë, krahasuar me orarin e zakonshëm gjatë javës.

Personat që arrijnë të rikuperojnë kaq gjumë regjistrojnë një ulje prej 9% të rrezikut për hipertension.

Mungesa e zgjatur e gjumit gjatë ditëve të punës e ekspozon organizmin ndaj një gjendjeje të vazhdueshme stresi dhe pengon uljen fiziologjike të presionit të gjakut gjatë natës. Të pushosh pak më shumë gjatë ditëve të pushimit i ofron zemrës dhe enëve të gjakut një periudhë të çmuar rikuperimi.

Kujdes nga efekti i kundërt

Megjithatë, nuk duhet tepruar. Studimi zbuloi se personat që flenë më shumë se katër orë shtesë gjatë fundjavës përballen me efektin e kundërt, duke rritur sërish rrezikun për hipertension.

Për njerëzit që vuajnë vazhdimisht nga mungesa e gjumit gjatë ditëve të javës, një periudhë rikuperimi ofron përfitime që tejkalojnë çrregullimet e mundshme të një ritmi cirkadian jo të rregullt.

Edhe pse ruajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit mbetet një objektiv i rëndësishëm për mirëqenien e përgjithshme, të flini rreth një orë e gjysmë më shumë gjatë fundjavës nuk duhet konsideruar dembelizëm, por një zgjedhje që mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut.

Të Ngjashme