Kuriozitete

Reagon ministri i Brendshëm Demo: Dhuna nuk është protestë, çdo shkelje do të hetohet. Ligji vlen edhe për policinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës ndaj Policisë së Shtetit dhe institucioneve publike, ndërsa ka theksuar se çdo shkelje e ligjit, qoftë nga protestuesit apo nga efektivët e policisë, do të hetohet dhe do të trajtohet sipas ligjit.

Në një reagim të gjatë publik, Demo deklaroi se qendra e kryeqytetit u përball me episode të rënda dhune, të cilat sipas tij nuk kanë lidhje me të drejtën kushtetuese për të protestuar.

“Dje, qendra e Tiranës u përball sërish me një valë të rëndë dhune. Persona të maskuar sulmuan punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, mjete piroteknike, shkopinj e sende të forta, dëmtuan institucione publike, shkatërruan dhe plaçkitën prona private, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe të forcave të rendit”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se protesta paqësore është një e drejtë e garantuar, por shtoi se aktet e dhunshme nuk mund të justifikohen në emër të saj.

“Këto akte nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën paqësore dhe me të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Aktet e dhunës nuk mund të justifikohen në emër të protestës dhe as të përdoren si instrument politik për destabilizimin apo goditjen e institucioneve të vendit”, u shpreh Demo.

Ministri nënvizoi se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te autorët e drejtpërdrejtë të incidenteve, por duhet të hetohet çdo dyshim për organizim, financim apo nxitje të akteve të dhunshme.

“Përgjegjësia nuk kufizohet domosdoshmërisht tek autorët e drejtpërdrejtë. Çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e akteve të dhunës, përfshirë përfshirjen e mundshme të strukturave politike apo grupimeve ekstremiste, duhet të hetohet nga organet kompetente dhe të vlerësohet mbi bazën e provave”, tha ai.

Sipas Demës, për çdo shkelje të ligjit do të kërkohet përgjegjësi individuale dhe, kur është e nevojshme, edhe përgjegjësi për dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike dhe private.

“Për çdo shkelje të ligjit do të kërkohet përcaktimi i përgjegjësisë individuale dhe, sipas rastit, përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike dhe private, në përputhje me procedurat ligjore”, deklaroi ministri.

Kreu i Ministrisë së Brendshme u ndal edhe te rasti i 28-vjeçarit të lënduar në sy gjatë protestës, si dhe te pezullimi i një efektivi policie, duke theksuar se hetimet duhet të zhvillohen paanshmërisht.

“Por dua të jem po aq i qartë edhe për një parim tjetër themelor: ligji është i njëjtë për të gjithë, edhe për ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit”, tha Demo.

Ai theksoi se çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet përgjegjëse.

“Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës duhet të hetohet me paanshmëri. Pezullimi i punonjësit të Policisë dhe nisja e hetimeve për rastin e të riut të lënduar në sy janë hapa konkretë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive mbi bazën e provave”, deklaroi ministri.

Në reagimin e tij, Demo shprehu solidaritet me të gjithë personat që mbetën të lënduar gjatë protestës, përfshirë qytetarët dhe efektivët e policisë.

“Çdo qytetar dhe çdo punonjës policie i lënduar meriton vëmendje, kujdes dhe respekt. Siguria publike është, mbi të gjitha, mbrojtje e jetës dhe e integritetit fizik të njerëzve”, tha ai.

Ministri falënderoi gjithashtu punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin e tyre gjatë përballjes me incidentet.

“Shpreh mbështetjen dhe mirënjohjen time për punonjësit e Policisë së Shtetit që, në kushte të vështira dhe përballë rrezikut, vijojnë të përmbushin detyrën e tyre. Kjo detyrë kërkon vendosmëri, por gjithmonë profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit”, u shpreh ai.

Në fund të reagimit, Demo theksoi se qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre, por nënvizoi se dhuna nuk mund të përdoret si mjet presioni ndaj institucioneve.

“Në Francë, në Itali, në Shqipëri apo në çdo demokraci europiane, parimi është i njëjtë: liria e protestës mbrohet, ndërsa aktet e dhunës trajtohen sipas ligjit”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se protesta dhe siguria publike duhet të ecin paralelisht në një shtet demokratik.

“Qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, por dhuna nuk mund të jetë mjet presioni ndaj institucioneve dhe as të zëvendësojë dialogun demokratik”.

Nw fund tw reagimit tw tij, ministri i Brendshëm theksoi se detyra e institucioneve është të garantojnë protestën e lirë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë.

“Detyra jonë është të garantojmë që çdo qytetar të protestojë i lirë dhe i sigurt, që Policia të ushtrojë autoritetin e saj vetëm brenda kufijve të ligjit dhe që askush të mos qëndrojë mbi të.Vendosmëri ndaj dhunës. Respekt për protestën paqësore. Përgjegjësi përpara ligjit, pa përjashtim.”

/rtsh.al/

Të Ngjashme