Klan Kosova ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e “Big Brother VIP Kosova”, duke lënë të kuptohet se edicioni i ri mund të nisë më herët nga sa ishte parashikuar.
Së fundmi, televizioni publikoi një postim në rrjetet sociale që ka ngjallur menjëherë reagime te fansat e formatit.
“Edicioni i ri i mund të fillojë më shpejt sesa e kemi menduar!”, shkruhet në postimin e Klan Kosovës, i shoqëruar me mesazhin:
“A jeni gati për spektaklin më të madh në shqiptari? Big Brother VIP Kosova po rikthehet!”

Njoftimi vjen pasi prej javësh ishte konfirmuar se përgatitjet për sezonin e ri kishin nisur, ndërsa producentja Olsa Muhameti do të jetë sërish në krye të realizimit të formatit.
Deri më tani nuk janë bërë publike data e nisjes, emrat e moderatorëve apo banorët që do të bëhen pjesë e shtëpisë më të famshme në Kosovë. Megjithatë, postimi i fundit i Klan Kosovës lë të kuptohet se pritjes mund t’i vijë fundi më shpejt nga sa pritej.
Në ditët në vijim pritet të zbulohen edhe detajet e para zyrtare për edicionin e ri të “Big Brother VIP Kosova”.
