Lajme

Alpakë e bardhë lind në malet e Rodopeve

Një alpakë e vogël e bardhë u lind në kopshtin zoologjik “Borovitsa”, pranë rezervuarit të Kërxhaliut, në malet e Rodopeve Lindore.

E vjetër vetëm pak ditë, Bambi është alpaka e parë e lindur në këtë kopsht të vogël zoologjik, ku nëna e saj, Mocha, dhe tri alpaka të tjera kanë jetuar së bashku me kafshë të tjera për disa muaj.

Bambi u lind gjatë një shiu të rrëmbyeshëm. Edhe pse lindja pritej, ishte një moment prekës, u shpreh pronari i kafshëve, Mehmed Hayrula.

Hayrula tregoi se ai mban alpaka prej disa muajsh. Ai vendosi t’i blinte ato për të tërhequr vizitorë në hotelin e tij familjar, që ndodhet në bregun e rezervuarit. Pa pasur përvojë të mëparshme, ai i bleu dy kafshët e para përmes një njoftimi në internet nga rajoni Loveç, duke i zgjedhur sipas ngjyrës: një të zezë dhe një të bardhë. Më vonë kuptoi se kishte blerë dy meshkuj.

Më pas, ai mësoi se alpaka shiteshin edhe në bashkinë fqinje të Momçilgradit, ndaj bleu dy femra, Latte dhe Mocha; kjo e fundit pritej të sillte në jetë një të vogël në muajin nëntor. Edhe femra tjetër, Latte, është gjithashtu në pritje të një të vogli.

Tani, vetëm pak ditë pas lindjes, e vogla Bambi vrapon tashmë së bashku me alpakat e tjera të grupit. Hayrula thotë se kujdesi për to nuk ndryshon nga rritja e deleve apo e dhive. Ai është i bindur se ato po përshtaten mirë me malet e Rodopeve, ndonëse habitati i tyre natyror është Amerika e Jugut.

“Janë kafshë të qëndrueshme dhe leshi i tyre i mbron si nga temperaturat e larta, ashtu edhe nga ato të ulëta,” tha Hayrula.

Të Ngjashme