Lumir Abdixhiku është konfirmuar edhe për një mandat në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi shumica e delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë votuan kundër shkarkimit të tij.
Sipas rezultatit të votimit, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të Abdixhikut, ndërsa 152 delegatë mbështetën shkarkimin e tij.
Pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku deklaroi se procesi i zhvilluar ishte i panevojshëm dhe se tashmë partia duhet të fokusohet te uniteti.
“Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai falënderoi delegatët që i dhanë besimin për të vazhduar në krye të partisë, por shprehu mirënjohje edhe për ata që kishin një qëndrim tjetër.
“Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani.”
Abdixhiku theksoi se demokracia nuk nënkupton njëzëshmëri, por respekt të ndërsjellë, duke u bërë thirrje anëtarëve të LDK-së për unitet.
“Prandaj sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë edhe gjithë qytetarët që besojnë në vizionin tonë”, u shpreh ai.
