Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Sipas njoftimit, gjatë takimit, Abdixhiku dhe Rudolphi diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në situatën e krijuar pas refuzimit të propozimit për Presidentin e Republikës së Kosovës.
“Kryetari Abdixhiku vlerësoi se refuzimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja për President dhe pamundësia për të përmbyllur këtë proces institucional përbëjnë një zhvillim të pafavorshëm për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve demokratike të vendit”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se Abdixhiku po ashtu theksoi se, përkrahja e partnerëve strategjikë të Kosovës është e rëndësisë të veçantë për ruajtjen e stabilitetit institucional, konsolidimin demokratik të vendit dhe avancimin e agjendës së saj euroatlantike.
Në takim u vlerësua gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në proceset që lidhen me zhvillimin demokratik dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar lart rolin e saj si një prej partnerëve më të rëndësishëm strategjikë të vendit”.
