ShowBizzz

Reagon sërish “Sadna e Bidait” për protestat në Tiranë: “Zemra më dhemb për ju, dijeni se…”

Aktorja indiane Sara Khan, e njohur për publikun shqiptar si Sadna nga seriali “Bidai”, ka reaguar sërish për protestat studentore në Tiranë, këtë herë përmes një mesazhi të gjatë kushtuar shqiptarëve.

Pasi më herët kishte shpërndarë pamje nga protestat, aktorja ka publikuar në Instagram një deklaratë ku shpreh shqetësimin për të rinjtë dhe familjet e tyre, duke kujtuar njëkohësisht dashurinë që ka marrë ndër vite nga publiku shqiptar.

“Të dashur shqiptarët e mi, ju më mirëpritët në shtëpitë tuaja si Sadna dhe më dhatë kaq shumë dashuri, përtej gjuhës dhe distancës, që nuk dukeshin se kishin rëndësi. E kam mbajtur atë dashuri me vete që atëherë”, shkruan ajo.

Sara Khan shprehet se po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Shqipëri, veçanërisht situatën e të rinjve që marrin pjesë në protesta.

“Sot zemra më rëndohet kur mendoj për ju, veçanërisht për të rinjtë tuaj, shpresat e tyre dhe familjet që presin të kthehen të sigurt në shtëpi”, vijon aktorja.

Në mesazhin e saj, ajo thekson se të rinjtë meritojnë të dëgjohen dhe të trajtohen me dinjitet, pa u përballur me frikë për të ardhmen e tyre.

“Ka diçka thellësisht të dhimbshme kur zemrat e të rinjve duhet të mbajnë kaq shumë frikë, ndërkohë që duhet të kenë kaq shumë gjëra për të pritur nga e ardhmja. Çdo i ri meriton të ndihet i dëgjuar, të trajtohet me mirësi dhe dinjitet dhe të besojë se ka vend për ëndrrat e tij në vendin e vet”, shkruan Khan.

Aktorja u është drejtuar edhe prindërve që shqetësohen për fëmijët e tyre, si dhe të gjithë personave që po kalojnë momente të vështira.

“Do të doja që këto fjalë t’i sillnin sadopak ngushëllim kujtdo që po vuan. Çdo prind i shqetësuar, çdo i ri i frikësuar dhe kushdo që po përballet në heshtje me vështirësi, dijeni se jeni në mendimet dhe lutjet e mia”, shprehet ajo.

Në përfundim, Sara Khan rikujton lidhjen e veçantë që ka krijuar me shqiptarët falë rolit të saj në serialin e njohur.

“Ju bëtë që dikush shumë larg të ndihej si një prej jush. Ju lutem, dijeni se dhimbja juaj nuk më duket aspak e largët. Me dashuri dhe një lutje të heshtur për ditë më të mira. Sadna juaj”, e mbyll aktorja mesazhin, të shoqëruar me flamurin shqiptar.

Postimi i saj ka marrë mijëra pëlqime dhe qindra komente, duke tërhequr vëmendjen e ndjekësve shqiptarë, të cilët e njohin prej vitesh nga roli i Sadnës.

Të Ngjashme