Lajme

Afera KAYO/ SPAK ‘bastis’ rezidencën e Ron Yeffet, sekuestro edhe tek Ministria e Mbrojtjes

Me miratim të gjykatës dhe me kërkesë të SPAK-ut, mesditën e kësaj të premte (2 tetor 2026) janë kryer disa kontrolle për aferën KAYO.

Sipas raportimeve në media, aktualisht, sapo ka përfunduar kontrolli te biznesmeni shqiptaro-amerikan- izraelit Ron Yeffet.

Pas kontrolleve te Yeffet, sipas weblajm, kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh.

Nga ky hetim nuk përajshtohen as zyrtarë të lartë përmendur në përgjime, si persona në dijeni për pyetje dhe kontrolle.

Emri i biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet është vënë në qendër të një sërë denoncimesh publike të bëra nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili në audiopërgjime dhe deklarime të publikuara së fundmi ka ngritur pretendime për një skemë të dyshuar që lidh biznesin privat me kompaninë shtetërore të industrisë ushtarake KAYO, fondet publike dhe aktivitetin në sektorin e mbrojtjes.

Në qendër të denoncimeve është TIMAK Defence, kompani e krijuar në gusht 2025 nga TIMAK dhe KAYO. Sipas të dhënave të bëra publike, TIMAK zotëron 80% të kompanisë, ndërsa KAYO, e kontrolluar nga Ministria e Mbrojtjes, zotëron 20%. Yeffet zotëron 49% të TIMAK-ut, çka i jep atij një pjesëmarrje indirekte në TIMAK Defence.

Në deklarimet e tij, Ahmetaj pretendon se Yeffet ka hyrë në TIMAK në vitin 2025 dhe, pak kohë më pas, TIMAK është bërë partneri dominues i KAYO-s në TIMAK Defence. Sipas Ahmetajt, pjesa private e kompanisë kontrollon 80%, ndërsa shteti shqiptar përmes KAYO-s vetëm 20%, duke ngritur pikëpyetje, sipas tij, mbi raportin mes kapitalit privat, investimit dhe fondeve publike që lidhen me kompaninë.

Një tjetër pretendim i bërë nga Ahmetaj lidhet me trafikun ndërkombëtar të armëve. Në audiopërgjimet dhe deklarimet e publikuara prej tij, ai pretendon se ekziston një skemë ku armë të prodhuara jashtë Shqipërisë mund të kalojnë në vend, të paketohen dhe më pas të dërgohen drejt zonave të konfliktit. Në këtë pretendim ai përmend TIMAK Defence, KAYO-n, kompaninë Advanced Arms Technology dhe persona të lidhur me sektorin e mbrojtjes.

Të Ngjashme