Ministria e Financave ka pranuar njoftimin nga prokuroria se është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës me pretendimin e pabazë se Ministria e Financave kishte bllokuar buxhetin e komunës.
Kjo edhe njëherë e dëshmon se pretendimet e zyrtarëve të Prishtinës ishin të pavërteta dhe se stafi i Ministrisë së Financave çdoherë vepron në përputhje me ligjin.
Rikujtojmë për publikun se Komuna e Prishtinës ishte vonuar në dorëzimin e buxhetit të vitit 2025, duke e dorëzuar me disa muaj vonesë përtej afatit ligjor dhe pasi ligji i Buxhetit ishte miratuar nga kuvendi. Kjo vonesë e komunës kishte rezultuar në mos-përfshirje të buxhetit komunal në ligjin e Buxhetit, gjë që kishte pamundësuar alokimin dhe shfrytëzimin e plotë të buxhetit komunal në këtë rast.
Në lidhje me këtë, udhëheqësia e Komunës së Prishtinës kishin hedhur akuza të pabaza ndaj stafit të Ministrisë së Financave për gjoja bllokim të qëllimshëm të buxhetit, gjë për të cilën edhe kishin dorëzuar kallëzim penal.
Ministria e Financave mirëpret epilogun e kësaj çështjeje që vërteton se akuzat ndaj stafit të Ministrisë ishin të pabaza dhe njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin që të vazhdojë punën profesionale.
