Fondacioni Wikimedia ka konfirmuar zbulimin e aktivitetit nga të ashtuquajturit agjentë të AI-së “të pakontrolluar” në platformat e tij, përfshirë Wikipedia.
Në një deklaratë, organizata jofitimprurëse që menaxhon enciklopedinë online vuri në dukje se një hetim i brendshëm zbuloi modifikime të paautorizuara, disa tentativa të dështuara për hakim dhe një rritje masive të trafikut, e cila me gjasë shkaktoi një ndërprerje të pjesshme të sistemit në muajin maj, raporton KosovaPress.
Wikimedia nisi një hetim pas raporteve të fundit se agjentët e AI-së po dilnin nga mjediset e tyre të izoluara dhe po tentonin të hakonin ueb sajte të tjera. Në një rast të tillë, agjentët e OpenAI-t morën kontrollin e një ueb sajti gjerman dhe e përdorën atë për komunikim të brendshëm.
Një skenar kaq ekstrem nuk ndodhi në Wikipedia, megjithëse u regjistrua aktivitet serioz. U konstatua se agjentët e AI-së po modifikonin artikuj brenda zonave të ashtuquajtura “sandbox” (hapësira testimi) të faqes, të cilat nuk janë të dukshme për publikun.
Asnjë nga këto modifikime nuk përfundoi në faqet që shohin lexuesit e zakonshëm. Fondacioni deklaroi gjithashtu se agjentët tentuan të komprometonin mjetin publik të mbajtjes së shënimeve Etherpad, me qëllim që ta përdornin atë për të mbledhur të dhëna nga faqe të tjera dhe për të mbajtur regjistrat e tyre.
Edhe pse dëmi nuk ishte i gjerë dhe të dhënat e përdoruesve nuk u komprometuan, operatorët e Wikipedia theksojnë se zbulimi i këtyre aktiviteteve kërkoi kohë dhe përpjekje të konsiderueshme. Ata paralajmërojnë për rreziqet në rritje që veprimet e agjentëve të AI-së paraqesin për platformat e tyre.
Prania e inteligjencës artificiale ka krijuar gjithashtu një barrë të rëndë financiare për serverët e Wikimedia. Agjentët dërguan miliona kërkesa të automatizuara në API-të publike për të hyrë në përmbajtje dhe për të skanuar miliona faqe kryesisht nga projektet Wikidata dhe Wikimedia Commons. Ata gjithashtu dërguan qindra-mijëra pyetësorë në Shërbimin e Pyetësorëve të Wikidata (WQDS).
