Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përmbylljes së procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të vendit, duke theksuar se tashmë duhet të shtohen angazhimet dhe të mos humbet kohë.
Përmes një postimi, Kurti ka përmendur konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Ai ka rikujtuar se Shiroka-Pula u zgjodh Presidente mbrëmjen e kaluar, ndërsa sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e kësaj detyre, Albulena Haxhiu.
“Shumë energji janë harxhuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës: konstituimit të Legjislaturës XI të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentes”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se pas krijimit të kushteve për funksionimin e institucioneve pa pengesa, fokusi duhet të jetë te puna dhe përmbushja e zotimeve.
“Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm. Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kurti ka uruar edhe një herë për përmbylljen e procesit institucional.
