Lajme

Ahengu familjar në Ferizaj shoqërohet me të shtëna armësh

Një aheng familjar në një restorant në fshatin Balaj të Ferizajt është shoqëruar me të shtëna me armë, duke bërë që Policia e Kosovës të nisë hetimet për rastin.

Njësitet reaguese të policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitet e hetimeve dhe forenzikës.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe tërhequr gjithsej 39 gëzhoja të armëve me gaz, si dhe janë sekuestruar dy armë me gaz.

Në kuadër të hetimeve janë siguruar dhe intervistuar dëshmitarë, ndërsa policia ka siguruar edhe video-incizime nga vendi i ngjarjes. Nga analizimi i pamjeve janë identifikuar dy persona të dyshuar, R.L., 27-vjeç, dhe SH.M., 35-vjeç, të cilët dyshohet se kanë shtënë me armë gjatë ahengut familjar.

Ndaj 27-vjeçarit R.L. është iniciuar rast për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkaq, ndaj 35-vjeçarit SH.M. është iniciuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të vazhdojë të hetohet në procedurë të rregullt.

Të Ngjashme