Një familje me tre fëmijë ka përjetuar momente tmerri pas një aksidenti të rëndë në një autostradë në Alpet austriake, ku automjeti i tyre përfundoi jashtë rrugës dhe më pas mori flakë.
Aksidenti ndodhi të premten në mëngjes në autostradën A11, pranë Villachut, në landin austriak të Kärntenit. Sipas policisë, një furgon i tipit VW doli nga rruga dhe u përplas me barrierat e një parkingu.
Situata u përkeqësua shpejt pasi automjeti filloi të nxirrte tym dhe dyert mbetën të bllokuara. Në vendngjarje u krijua një kolonë prej rreth 20 automjetesh.
Një zjarrfikës profesionist, i cili ndodhej rastësisht në kolonë, pa tymin dhe vendosi të ndërhynte.
Me një fikës zjarri dhe një kuti të ndihmës së parë në duar, ai kaloi përmes kolonës për t’u ardhur në ndihmë të aksidentuarve, shkruan Bild, transmeton Klankosova.tv.
“Fillimisht mendova se ishte thjesht trafiku i pushuesve. Pastaj pashë se po ngrihej tym dhe e kuptova: duhet të shkoj atje”, ka rrëfyer ai për Kleine Zeitung.
Sipas tij, situata në trafik ishte shqetësuese, pasi automjetet ishin të vendosura në mënyrë të çrregullt dhe nuk ishte krijuar një korridor për automjetet e emergjencës.
Nëna 39-vjeçare, e cila ishte në timon, arriti të dilte vetë nga automjeti dhe të nxirrte djalin e saj më të vogël nga ulësja. Ndërkohë, burri në ulësen e pasagjerit kishte mbetur i bllokuar, ndërsa edhe dy fëmijët e tjerë nuk mund të dilnin nga automjeti.
Të gjithë anëtarët e familjes kishin pësuar lëndime dhe ishin të traumatizuar nga ngjarja.
Zjarrfikësi ka shprehur tronditjen e tij edhe për reagimin e disa drejtuesve të tjerë të automjeteve që ndodheshin në kolonë.
“Me shumë gjasë kanë bërë fotografi”, ka thënë ai, duke kritikuar faktin se shumë persona nuk ndërhynë për të ndihmuar dhe nuk krijuan hapësirë për ekipet e shpëtimit.
